Telegrafi

Mungesa e bordit të AKP-së bllokon ndërmarrje dhe lë pa para punëtorët

Mbi 50 ndërmarrje dhe mijëra euro të ndara për punëtorët kanë mbetur të bllokuara, për shkak të mungesës së bordit të AKP-së, raporton KTV.

Zyrtarë të kësaj agjencie kanë bërë të ditur se me kompletimin e bordit, qeveria mund t’i marrë deri në 26 milionë euro nga likuidimi.

Një bllokadë e tillë po shkakton probleme të mëdha për bizneset që kanë blerë dhe që nuk po mund të shfrytëzojnë pronat.

Kjo, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dërgon edhe një sinjal tjetër negativ tek investitorët e jashtëm.

Në qeverinë e Kosovës kanë bërë të ditur se bordi do të jetë komplet brenda prillit. Këshilltari për ekonomi i kryeministrit, Sokol Havolli, ka thënë se qeveria i ka dhënë rëndësi më të madhe emërimit të disa bordeve të tjera që kanë qenë më urgjente.

Ndryshe nga bordet e kaluara, ku në përbërje kishte 3 ndërkombëtarë, në të riun do të jetë përbërja vetëm nga vendorët.