Site icon Telegrafi

A mundet Inteligjenca Artificiale të parashikojë moshën tuaj ‘të vërtetë’ dhe sa kohë do të jetoni duke përdorur vetëm një radiografi të kafazit të kraharorit?

Një studim i ri tregoi se Inteligjenca Artificiale (AI) mund të vlerësojë moshën e një individi të shëndetshëm nga një radiografi të kafazit të kraharorit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shkencëtarët kanë zhvilluar një model të Inteligjencës Artificiale që mund të lexojë një rëntgen të kafazit të kraharorit për të përcaktuar moshën biologjike të një personi.

Siç thuhet më tej, në një studim të ri të botuar në revistën “The Lancet Healthy Longevity”, studiuesit nga Universiteti Metropolitan Osaka në Japoni zbuluan se sa më e lartë të ishte mosha e vlerësuar nga AI krahasuar me moshën aktuale të një personi, aq më shumë gjasa që individët të kishin një sëmundje kronike.

Lexo po ashtu Inteligjenca artificiale zbuloi kancerin e gjirit para se dy mjekë të bënin mamografinë

“Rezultatet tona sugjerojnë se mosha e dukshme e bazuar në radiografinë e kafazit të kraharorit mund të pasqyrojë me saktësi kushtet shëndetësore përtej ‘moshës kronologjike’”, ka thënë autori i studimit Yasuhito Mitsuyama në një deklaratë.

“Ne synojmë ta zhvillojmë më tej këtë hulumtim dhe ta zbatojmë atë për të vlerësuar ashpërsinë e sëmundjeve kronike, për të parashikuar jetëgjatësinë dhe për të parashikuar komplikimet e mundshme kirurgjikale”.

Për të krijuar një model të AI që mund të lexojë radiografi të tillë, studiuesit përdorën më shumë se 67,000 radiografi të marra midis 2008 dhe 2011 nga individë të shëndetshëm nëpër institucione të shumta.

Për individët e shëndetshëm, kishte një lidhje të fortë midis moshës së vlerësuar nga AI dhe ‘moshës kronologjike’ të personit.

Studiuesit gjithashtu testuan më shumë se 34,000 radiografi të kafazit të kraharorit nga pacientë me sëmundje të njohura.

Ata përcaktuan se modeli i vlerësuar nga AI jepte një moshë më të lartë në krahasim me moshën aktuale të personit për disa sëmundje kronike si hipertensioni, sëmundja kronike obstruktive pulmonare (COPD), sëmundja e mëlçisë, sëmundja e mushkërive dhe dështimi kronik i veshkave.

Lexo po ashtu Inteligjenca artificiale krijon fotografi që tregojnë sesi mund të jenë dukur të vegjël Putin, Assad e Kim Jong-un

Megjithatë, kishte pak korrelacion për sëmundjet akute, të tilla si ato që janë infeksione më të fundit si pneumonia.

“Ky rezultat do të thotë që AI ynë kap ndryshimet kronike në vend të ndryshimeve akute në radiografinë e gjoksit, gjë që është e arsyeshme sepse plakja rezulton nga ndryshimet kronike që grumbullohen me kalimin e kohës”, thanë autorët e studimit.

Autorët theksuan se ky model i AI mund të shërbejë si një tregues për sëmundjet e lidhura me moshën dhe të ndihmojë në zbulimin dhe ndërhyrjen e hershme.

Por ata kërkuan hulumtime të mëtejshme për të konfirmuar shkakësinë, për të krahasuar modelin e AI me “përcaktues” të tjerë të moshës biologjike dhe për të studiuar grupet e tjera etnike. /Telegrafi/

Exit mobile version