Një studim i ri i shkencëtarëve amerikanë, rezultatet e të cilit u botuan në revistën “The Lancet Diabetes & Endocrinology”, zbuloi se niveli i ulët i vitaminës D mund ta rrisë rrezikun e shtypjes së lartë të gjakut
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se ekziston një lidhje në mes të niveleve të vitaminës D dhe niveleve të shtypjes së gjakut, por rezultatet nuk janë mbështetur sa duhet me prova për t’u konsideruar të besueshme, përcjell WebMD.
Vitamina D është vitaminë e diellit. Trupi e prodhon atë kur ekspozohet ndaj rrezeve të diellit. Ajo gjithashtu gjendet në ushqime si vezët, qumështi, jogurti, peshku ton, salmoni, drithërat dhe lëngu i portokallit.
Në këtë studim, hulumtuesit studiuan shëndetin e 146.500 njerëzve. Ata e plotësuan një pyetësor që përfshinte pyetje në lidhje me stilin e përgjithshëm të tyre të jetesës.
Rezultatet e hulumtimit treguan se çdo rritje e ekspozimit ndaj vitaminës D me 10%, e zvogëlon rrezikun e hipertensionit, apo presionit të lartë të gjakut, me 8%.
“Është bukur të mendosh se mund t’i zëvendësojmë ilaçet për uljen e shtypjes së gjakut me ekspozimin e kujdesshëm në diell”, tha studiuesja kryesore prof. Elina Hypponen.
Megjithatë, edhe pse hulumtimi tregon se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë, ky pohim nuk është mbështetur nga dëshmi të mjaftueshme.
Pikërisht kjo është arsyeja se pse kemi nevojë të vazhdojmë me studimin që të dimë se a mund të ndihmojë marrja e suplementeve të vitaminës D në parandalimin e hipertensionit, përfundoi Hypponen. /Telegrafi/