Në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje nuk propozon mandatarin e ri për formimin e Qeverisë, Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme që të marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në një koalicion të mundshëm me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvend.
E analistët politikë konsiderojnë së në këtë situatë, LVV duhet të marrë përgjegjësinë për krijimin e Qeverisë, pasi që ka dalë partia e parë në zgjedhje.
Analisti, Iliri Ibrahimi ka thënë për Telegrafin se LVV mund të përpiqet që të gjej partnerë tani, pasi që sipas Ibrahimit disa persona nga kjo parti e kanë pranuar se vendosja e vijave të kuqe ka qenë gabim.
“Bazuar në atë që e parasheh kushtetuta dhe vendimet e saj rreth asaj se kush e ka të drejtën e formimit të qeverisë, është e qartë që partia apo koalicioni që del fitues e ka primatin e kësaj të drejte. Në këtë rast atë e ka LVV. Në këtë situatë LVV duhet të marrë përgjegjësinë dhe të përpiqet të ndërtojë një shumicë parlamentare. Ka pasur deklarata të disa nga personave kryesorë të LVV se vënia e vijave të kuqe ka qenë gabim dhe se një gjë të tillë do ta rishikojnë. LVV mund ta rishikojë një gjë të tillë që tani dhe të përpiqet të gjej partnerë”, deklaroi ai.
Ibrahimi pohoi se argumenti për të shkuar në zgjedhje dhe për të dalë të parët është jo logjik.
“LVV edhe sot është e para dhe i është dhënë e drejta që e ka i pari. Nëse LVV nuk është e interesuar të shfrytëzojë këtë të drejt atëherë duhet ta thotë dhe të hapen rrugë për alternativa tjera. Dihet tanimë që ka vullnet për një qeveri të udhëhequr nga LDK. Askush nuk e ka të drejtën që në një situatë të tillë, ta mbajë vendin në udhëheqje të një qeverie të shkarkuar me kompetenca të limituara”, theksoi ai.
Kurse, analisti Blerim Vela ka thënë se lidershipi i LDK-së, ka ndërmarrë hapa që të gjej aleatë politikë për formimin e Qeverisë së re e për të zëvendësuar LVV-në.
“Krahas inicimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, lidershipi i LDK-së, duket se ka ndërmarrë hapa që të gjej aleatë politik për formimin e një Qeverie të re, që do ta zëvendësonte atë që kishte me LVV. Përderisa negociatat mes LDK-se dhe LVV-së kanë qenë publike dhe së pari kanë përfshirë aspektet programore dhe pastaj ndarjen e përgjegjësive institucionale, diskutimet e lidershipit të LDK-së me AAK-në dhe Nismën janë tërësisht jo transparente”, theksoi Vela për Telegrafin.
Mes tjerash, analisti tha se bashkimi i këtyre partive është ndihmuar nga frika e tyre për ballafaqim zgjedhje me LVV-në.
“Ajo që dihet me siguri është se këto parti janë pajtuar të jenë partner qeverisës nëse një gjë e tillë ju mundësohet pas dështimit të LVV-së, për krijimin e Qeverisë së re. Ky përbashkim duket se është ndihmuar edhe nga frika e tyre për ballafaqim zgjedhor me LVV menjëherë pas përfundimit të krizës së COVID-19. Po ashtu duket se palët janë pajtuar që LDK të udhëheq me Qeverinë e re, ndonëse nuk ka transparencë për sa i përket programit të ri qeverisës dhe ndarjes së përgjegjësive në Qeveri”, deklaroi ai.
Tutje, Vela tha se koalicioni LDK-AAK-NISMA-AKR do të jetë kopje e qeverisë PAN.
“Për nga përmbajtja dhe arsyet e formimit të qeverisë së tillë, qeveria e LDK-së me AAK-në, Nismën dhe AKR-në duket se do të jetë kopje e dobët e qeverisë së PAN-it, me shumë pak pika programore dhe me fragjilitet të theksuar politik, ku secila parti do të ketë mundësinë të kushtëzoj LDK-në për secilin vendim të qeverisë”, tha ai për Telegrafin.
Si përfundim, analisti pohoi se do të jetë një qeveri me disa kryeministra.
“Kosova e pas COVID-19, do të duhet të bëjë shkurtime buxhetore në fushat ku partnerët e koalicionit të ri vështirë se do të mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Pra do të kemi qeveri me disa kryeministra dhe mbi të gjitha në varësi edhe nga PDK në Kuvend për të miratuar vendimet e saja. Duke marrë parasysh këta parametra si dhe pakënaqësinë në rritje të qytetarëve me veprimet politike të partive parlamentare për të shkarkuar qeverinë gjatë kohës së krizës COVID-19, nuk duket se një qeveri e tillë e formuar nga LDK ka mundësinë të jetë qeverisje jetëgjatë apo e suksesshme në adresimin e nevojave të qytetarëve për mirëqenie e punësim, zhvillim ekonomik apo luftim të korrupsionit”, u shpreh Vela.
Ndryshe, Qeveria Kurti, koalicion ky ndërmjet LVV dhe LDK është rrëzuar më 25 mars pas mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK, e që ishte përkrahur nga partitë opozitare. Për rrëzimin e Qeverisë kishin votuar 82 deputetë./Telegrafi/