Rrjetet sociale si Facebook, Instagram, Twitter dhe platformat tjera po përdoren si mjet marketingu nga subjektet politike, të cilat po garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë.
Por, njohësit e rrjeteve sociale në vend janë të ndarë lidhur me këtë formë të promovimit.
Disa prej tyre mendojnë se fituesi i zgjedhjeve nuk mund të përcaktohet duke u promovuar vetëm përmes rrjeteve sociale.
Valon Canhasi nga kompania “Hallakate”, në një përgjigje për Telegrafin tha se përcaktimi i fituesit i zgjedhjeve nuk mund të ndodh vetëm nga rrjetet sociale.
“Prezenca online, nuk është gjëja më e rëndësishme, po përmbajtja dhe shpërndarja e saj, e bëjnë ndryshimin. Përcaktuesi i zgjedhjeve nuk mendoj që mundet me ndodh vetëm nga rrjetet sociale, por është një kombimin i të gjitha kanaleve dhe kombinim i përmbajtjes për të gjitha kanalet. Pra, mediat sociale në një vend si Kosova, me 1.2 milion përdorues aktiv në muaj, janë kanal tepër i rëndësishëm, por ende jo më të rëndësishmet”, vlerëson Canhasi.
Edhe njohësi i marketingut Fisnik Ismaili, thotë se pëlqimet në rrjetet sociale nuk mund të përkthehen në votë.
“Ashtu qysh llajk [Like] nuk mund të përkthehet në votë, ashtu edhe rrjetet sociale nuk munden t’i përcaktoj zgjedhjet, por medoemos se luajnë rol të rëndësishëm për t’i bindur votuesit, posaçërisht nëse fushatat bëhen mirë”, tha për Telegrafin, Ismaili, që njëherësh është dhe kandidat për deputet nga koalicioni AAK-PSD.
Në anën tjetër menaxheri i rrjeteve sociale, Egzon Bunjaku, pohon se votuesit në vendin tonë ndikohen lehtë dhe sipas tij, partitë politike duhet të ofrojnë kampanja më efektive.
“Rrjetet sociale janë vegël tejet e rëndësishme për të arritur qëllimet për shkak të mundësive që ofron dhe është e frikshme të mendosh se si mund të personalizon një kampanjë për një grup të caktuar. Sipas një raporti të nxjerr nga Ipsos Mori and King’s College London, një në tre persona të ri beson se vota e tyre përcaktohet nga ajo çfarë shohin në rrjete sociale. Mendoj që edhe në vendin tonë votuesit ndikohen lehtë nga ajo çfarë shohin në rrjetet sociale por partitë politike duhet të sigurohen që përmbajtja e tyre shfaqet tek njerëzit e duhur edhe jashtë rrjeteve sociale që kampanjat të jenë sa më efektive”, pohon Bunjaku.
Ndërsa eksperti i sigurisë kibernetike dhe i rrjeteve sociale, Driart Elshani, për Telegrafin tha se aktualisht është e vështirë të përcaktohet se a mund të ndikojnë rrjetet sociale në partitë politike për t’i fituar zgjedhjet.
“Është e vështirë të parashikohet sa do të jenë përcaktuese rrjetet sociale për fituesin, kjo do të vlerësohet pas zgjedhjeve. Mirëpo ajo që mund të themi tash është se rrjetet sociale në këto zgjedhje do të kenë ndikim të madh, pra më së shumti nga të gjitha zgjedhjet e kaluara. Pra, fakti që kemi më shumë të rinj do të ketë efektin e vet por duhet pasur parasysh që të rinjtë e kanë mendimin kritik më të zhvilluar se sa votuesit në moshë të shtyrë dhe subjektet politike do të tentojnë që përmes reklamave në rrjetet sociale t’i bindin të rinjtë. Pothuajse të gjitha reklamat i synojnë të rinjtë, por sa do të ketë sukses kjo varet nga vet reklama, nga mesazhi që përçojnë ato dhe sidomos nga origjinaliteti i tyre”, tha Elshani.
Në një sondazh të organizuar nga Telegrafi në Facebook me pyetjen “A besoni se menaxhimi i mirë i fushatës në rrjetet sociale nga një parti/koalicion në Kosovë mund të ketë ndikim aq të madh sa të përcaktojë edhe fituesin e zgjedhjeve 2019?”, dy e treta e pjesëmarrësve mohojnë se fituesi mund të përcaktohet nga prezenca në media sociale.
Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme që do të mbahen më 6 tetor ku do të marrin pjesë 25 subjekte dhe koalicione politike. /Telegrafi/