Kryetari i FFK-së, Agim Ademi është kthyer të flas për çështjen e Mirlind Dakut dhe Arbnor Mujës që muaj më parë lanë Kosovën për Shqipërinë.
Ai ishte i pranishëm në emisionin ‘Ora Shtatë’ në ‘Klan Kosova’, ku tha se Mirlind Daku u largua nga Kosova për të shmangur konkurrencën me Vedat Muriqin.
Në fund, Ademi shprehet se ka fuqinë të ndalojë çdo lojtar dardan të luajë për Shqipërinë pasi ka një memorandum bashkëpunimi mes dy federatave.
“Ne nuk e përdorëm atë pjesën e djegies. Ta fusim dy minuta dhe ta djegim. Jo, Kosovën ose e do me zemër, ose nuk e do. Fatbardhësisht ne kemi plot talente, shumë lojtarë”.
“Nuk e shoh që është shumë e logjikshme për shembull, për shumë futbollistë që thonë: ‘Ah, unë jam rezervë tani. Kush e ndërron Muriqin’. Ja që erdhi momenti për ta ndërruar. Nuk e kemi Muriqin, kemi Muhamet Hysenin që shënoi gol”.
“Daku nuk e ka pranuar konkurrencën me Muriqin? Dakun, nuk e di për çfarë ka shkuar. Sigurisht që për atë pjesë të konkurrencës kanë shkuar. Unë i kam dëshiruar sukses pasi kanë shkuar”.
“A më ka ardhur mirë? Jo. Po të kisha mundësi të gjithë lojtarët do t’i ndaloja këtu. Nuk e kisha lëshuar as Dakun, as Mujën. Por unë nuk i ndal me zor. Kemi një memorandum bashkëpunimi dhe unë mund të ndaloj cilindo”, ka thënë Agim Ademi. /Telegrafi/