Endri Mumajesi është emër i njohur për publikun shqiptar, artisti përmbylli një vit tejet të suksesshëm, me projekte të ndryshme që u pritën mirë nga fansat e tij dhe jo vetëm.
I njohur më së miri me emrin artistik, Muma, artisti në vitin 2021 solli disa bashkëpunime e projekte që padyshim lanë gjurmë në muzikën shqiptare gjatë vitit që shkoi.
I lidhur ngushtë në bashkëpunimet me producentin e njohur, Cricket, dyshja sollën këngët “Pa ty”, një version origjinal që menjëherë rrëmbeu zemrën e publikut, për të vazhduar me një version të ri me këngëtaren, Dafina Zeqiri, që gjithashtu u kthye në një hit të padiskutueshëm.
Sukseset e Mumës u shtuan edhe me projektin “Për tradhtinë” një tjetër bashkëpunim me Cricket dhe reperin e njohur, Elinel, dhe më pas erdhi kënga “Thema” që i dha vulën një viti përplot me suksese për artistin.
Në një intervistë për Telegrafin, Muma vitin 2021 e konsideron si më të suksesshmin nga ana e tij si artist dhe interpretues, ai tutje flet edhe për tregun e muzikës shqiptare dhe planet për vitin 2022.
Si sihte viti 2021 për ju?
Viti 2021 ka qenë viti më i suksesshëm i imi në anën personale sepse kam ndjerë suksesin e një kënge si interpretuesi i saj dhe jo vetëm duke shkruar tekste apo kompozuar.
A keni arritur t’i realizoni të gjitha planet?
Ky vit ishte më i mirë se planet e mia. Nga ky vit mësova që nuk duhet të bëjmë plane, thjeshtë bëje maksimumin, për të tjerat vendos publiku koha dhe shumë faktor të tjerë.
Cili është projekti më i veçantë për ty?
Çdo krijim e dua dhe është njësojë i veçantë për mua, nuk mund t’i dallosh pavarësisht që suksesi i tyre nuk është i njëjtë.
Si e vlerësoni tregun e muzikës shqiptare?
Konkurrenca është e fortë në marketing, jo në cilës, audio apo në një krijim të bukur muzikor. Po krijohet dhe po publikohet më shumë sasi sesa cilësi.
Cilat janë projektet e reja që presim nga ti në vitin 2022?
Po punojmë në disa ide të reja këngësh që akoma janë definuar në mënyrë përfundimtare se si do realizohen. Po punojmë bashkë me Cricket që të sjellim diçka vërtetë të bukur për publikun.
Cila është dëshira juaj për vitin e ri?
Dëshira ime do ishte që të kemi jetë e shëndet, ndërsa të tjerat i kemi në dorë ne vetë.
Faleminderit për intervistën, për fund, cili do ishte mesazhi juaj për lexuesit e Telegrafit për vitin 2022?
Uroi të jetë një vit sa më i mbarë, me energji pozitive, larg egove të kota dhe ta shijojmë sa më shumë edhe këtë vit. /Telegrafi/