Deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku e ka quajtur komplet të dështuar menaxhimin e situatës së pandemisë nga kjo qeveri.
Mulhaxha-Kollçaku në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se qeveria ka dështuar keq në menaxhimin e pandemisë së COVID-19.
Ajo thotë se zgjerimi i kapaciteteve dhe rekrutimi i ngutshëm i personelit shëndetësorë pa trajnime adekuate ka qenë i padobishëm.
“Janë shtuar shtretërit por nuk është bërë trajnimi i mjekëve të ri që janë futur si vullnetarë aty. Ata është dashur të trajnohet së paku disa ditë se si duhet të veshën e zhveshën në dhoma të veçanta. Kapacitetet janë zgjeruar pa kurrfarë plani. Dështim komplet në menaxhim”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar edhe Presidentin Thaçi pasi sipas saj ai vet nuk ka vendosur maska e në anën tjetër ka ftuar qytetarët për mosbindje.
Mulhaxha-Kollçaku thotë se fuqizimi i IKSHP-së është bërë në kohën e Qeverisë Kurti.
“Qeveria e tanishme po e ndjek modelin e Suedisë për njëfarë imunizimi kolektiv. Ne nuk mund t’i përballojmë gjithë këta të vdekur”, deklaroi ndër të tjera Mulhaxha Kollçaku./Telegrafi/