Telegrafi

Muja për situatën në veri: Nuk do të ketë marrëveshje të këqija për Kosovën

Deputeti i LVV-së, Armend Muja ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të tërhiqet nga masa e reciprocitetit për targa.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë shumë zgjidhje në këtë rast. Ose bëhemi inferior ndaj Vuçiqit ose mbështesim Qeverinë Kurti në këtë rast. Ky ishte një premtim yni elektoral dhe e zbatuam”, tha Muja në “Debat Plus”.

Muja ka thënë se forcat speciale nga veriu i Kosovës do të tërhiqen kur të kalojë rreziku.

Deputeti i shumicës parlamentare thotë se nuk do të ketë opsione c e d që e vendosin Kosovën në pozicion inferioriteti ndaj Serbisë.

“Preferenca jonë fillestare është që të kemi marrëveshje. Por unë mund të garantojë se nuk do të ketë marrëveshje të këqija për Kosovën”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Muja thotë se Serbia nuk e ka problem nëse lëvizin mallrat apo njerëzit, por problemin e kanë të barazia.

“Ata nuk duan të na shohin si shtet”.

Deputeti i LVV-së thotë se mund të ketë nesër marrëveshje në Bruksel nëse Serbia i pranon targat e Republikës së Kosovës.

“Nëse nuk ka pranim të targave, nuk mund të ketë marrëveshje…Ka edhe çështje tjera siç janë vulat, kadastrat, çështjet e energjisë, artifakteve. Ka shumë sfera që ka pasur edhe marrëveshje por që nuk janë zbatuar. Megjithatë destinacioni final është njohja”, tha ndër të tjera Armend Muja./Telegrafi/