Site icon Telegrafi

Muja: Kandidatura e Vjosa Osmanit pengon rrjedhjen e votuesve të LDK-së në Vetëvendosje

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Armend Muja ka thënë se Vjosa Osmani është një ndër kandidaturat më të mira që ka pasur LDK në vitet e fundit.

Muja, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se profili i Vjosa osmanit është ndërtuar nga përplasjet që kishte me Isa Mustafën.

“Në kuadër të grupit të famshëm që kundërshtonin Demarkacionin e Thaçin ku ishin Arben Gashi e tjerët, vetëm Vjosa Osmani është avancuar ndërsa tjerët janë devalvuar”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, taktikisht LDK-ja ka bërë mirë që ka nominuar Osmanin, pasi ka parandaluar Vetëvendosjen të merr elektoratin.

“Vjosa Osmani ka qenë më e afërt me kauzat e Vetëvendosjes në tri-katër vitet e fundit. Ajo më shumë ka votuar si Vetëvendosje se sa partia e saj”.

Muja thotë se kandidatura e Osmanit parandalon që votuesit e LDK-së të shkojnë kah Vetëvendosje.

“Me këtë veprim LDK-ja i ka dhënë Vetëvendosjes dhe të tjerëve mesazhin se elektoratin e zemëruar do ta mbajë për vete. Zotit Kurti tash i duhet të vendos nëse do të shkojë i vetëm në zgjedhje, apo duke bashkëpunuar me Vjosa Osmanin, por në një rol më inferior”, tha ndër të tjera Armend Muja./Telegrafi/

Exit mobile version