Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka vizituar Komunën e Pejës së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, ministren në detyrë për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Hykmete Bajrami dhe ministren në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi.
Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se ka kërkuar nga Kurti që të rritet numri i testimeve.
“Fillimisht, e njoftova Kryeministrin në detyrë për situatën aktuale të krijuar nga COVID-19, e njoftova për sfidat me të cilat po përballet komuna dhe qytetarët si dhe për mënyrën se si po e menaxhojmë këtë situatë. Në mënyrë specifike i kërkova që të angazhohen të gjitha kapacitetet e qeverisë që të rritet numri i testimeve për rastet e dyshuara me virusin COVID-19”, deklaroi Muhaxheri.
Tutje Muhaxheri tha se kryeministri në detyrë u shpreh i gatshëm për ndihmë, në përputhje me nevojat e Pejës.
“Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për ta ndihmuar Komunën e Pejës në përballje të krizës. Ndihmat për komunën e Pejës do të jenë në përputhje me nevojat që ka Peja dhe qytetarët e saj. Së bashku i bëjmë thirrje qytetarëve të Pejës që ta marrin seriozisht çështjen e virusit, dhe të qëndrojnë në shtëpi duke mos lëvizur pa nevojë as në supermarkete, as ne sheshe dhe as në parqe”, tha kryetari i Pejës. /Njeshi/