Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se beson që projekti i Qendrës Turistike “Borea” do të realizohet.
Gjatë një interviste për Telegrafin, ai ka thënë se pas takimit me ministrin e Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Libur Aliu i është premtuar që zoonimi i parkut në “Bjeshkët e Nemuna” do të shkojë në Kuvendin e Kosovës për miratim brenda dy ose tre muajve.
“Në takimin e fundit që e kam pasur me ministrin e Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu më është thënë që brenda muajit zoonimi i parkut do të shkon në Kuvend dhe besoj që brenda dy ose tre muajve do të miratohet zoonimi i parkut nacional. E me këtë do t’i hapet rruga realizmit të projektit të shumë pritur për qytetarët e Pejës dhe për mua vetë, realizmi i projektit Borea”, theksoi Muhaxheri.
Ai ka shtuar se realizimi i këtij projekti është i rëndësisë së veçantë, për zhvillimin ekonomik të vetë Pejës por edhe për komunat e tjera përreth.
“Unë mendoj që ministri është profesional dhe e ka kuptuar rëndësinë e miratimit të zoonimit të parkut dhe interesit që ka Komuna e Pejës dhe komunat e tjera për zhvillim ekonomik. Është një interes i jashtëzakonshëm për Pejën, Deçanin, Junikun, Istogun dhe Klinën. Ndoshta në fillim këta nuk e shohin rëndësinë e kësaj dhe me kohë do t’i shihet rëndësia e këtij projekti në zhvillimin ekonomik të Pejës dhe qyteteve përreth”, tha ai.
Pas një periudhe të gjatë, në shtator të vitit 2018 kishte nisur puna për ndërtimin e kompleksit rekreativo-sportiv “Borea” në Pejë.
Punimet në këtë qendër, që është vetëm 900 metra larg qytetit të Pejës, ku parashihej të punësoheshin rreth 500 persona, u ndërprenë për arsye të pezullimit të lejes së ndërtimit nga Ministria e Ambientit gjatë Qeverisë Haradinaj.
Arsyet se pse ky projekt ka ngecur për Muhaxherin, fajtor është politika sepse sipas tij një projekt i ngjashëm është menduar të realizohet në Komunën e Deçanit. /Telegrafi/