Site icon Telegrafi

Muhamet Hyseni mban në krahë Llapin, fitore në ndeshjen e pesë golave

Llapi ka fituar me vështirësi ndaj Feronikelit 74 me rezultat 3-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të të Superligës së Kosovës.

Ndeshja nisi më mirë për mysafirët që arritën të shënonin në minutën e 14-të me Ruben Tarascon që përfitoi nga një tollovi në zonë, duke shënuar për 1-0.

Por Llapi pas tetë minutash arriti të barazojë rezultatin me një goditje dënimi të ekzekutuar perfekt nga Muhamet Hyseni për të shënuar për 1-1.

Ahmed Januzi pas golit të barazimit, humbi një rast të qind për qind me portën e zbrazët, por në minutën e 32-të, arriti të qojë topin në rrjetë për 2-1.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej Jakup Berisha me një gjuajtje nga larg shënoi për 2-2, pasi mbrojtja e Llapit dhe portieri Ilir Avdyli nuk perceptuan mirë topin.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat të barabartë, ndërsa me të filluar e dyta erdhi epërsia e Llapit.

Muhamet Hyseni arriti të shënojë për 3-2 me një gjuajtje të fortë volej brenda zonës.

Feronikeli kishte raste për të barazuar rezultatin dhe më të mirin e kishte në minutën e 88-të me Agron Bruqin, por që gjuajtja e tij nga vija e portës u ndal nga Besar Musolli.

Llapi mbetet i dyti me 64 pikë, dy pas liderit, Ballkanit, ndërsa Feronikeli me 34 pikë mban vendin e tetë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
Exit mobile version