Sulmues Muhamet Hyseni dhe klubi i Llapit nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës së re, ashtu që e kanë ndërprerë bashkëpunimin.
“Dua t’ju njoftoj se pasi nuk gjetëm akordin për të vazhduar bashkëpunimin, mora vendim që të largohem nga klubi i vendlindjes sime KF Llapi, ku kalova tre vite dhe arritëm të fitonim Kupën e Kosovës këtë edicion”.
“Dua të falënderoj stafin e klubit, stafin e trajnerëve, kryesinë e klubit në krye me Beqir Batatinen, si dhe bashkëlojtarët me të cilët ishim si një familje”.
“Klubit i dëshiroj shumë suksese në garat ndërkombëtare dhe në vazhdimësi”, thuhet në postim e futbollistit.
Ndërkaq, edhe Llapi ka bërë një publikim lidhur me largimin e tij: “Klubi e falënderon sulmuesin Muhamet Hyseni për kontributin e dhënë për fanellën e KF Llapit gjatë tri edicioneve (2018-2021)”.
“Futbollistit i skadonte kontrata në fund të këtij muaji, me gjithë përpjekjet, klubi dhe futbollisti nuk gjetën akordin për vazhdimin e bashkëpunimin dhe kësisoj me marrëveshje të dyanshme vendosën ta mbyllin bashkëpunimin”.
“Klubi dhe tifozët do të jenë përgjithmonë falënderues për kontributin e tij sidomos për emocionet me dy penalltitë vendimtare që i kishte shënuar në çerekfinale ndaj Ballkanit dhe në finale ndaj Dukagjinit”, shkruan në faqen e Llapit. /Telegrafi/