Site icon Telegrafi

Muhamed Xhemaili, polici i Njesisë Speciale, që dhuron gjak nga viti 1986

Për herë të parë dhuroi gjak në vitin 1986, që nga ajo kohë nuk e ka ndalur këtë veprim me të vetmin qëllim që të shpëtojë jetë njerëzish.

Muhamed Xhemaili, pjestar i Njesisë Speciale Operative në Policinë e Kosovës, tha për Telegrafin se dhurimi i gjakut për të është parim etik për të shpëtuar jetë.

“Dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare është një zgjidhje e lirë dhe e përgjegjshme, si parim etik për të ndihmuar dhe shpëtuar jetë”, tha ai.

Xhemaili tregon se nga viti 1986 dhron gjak rregullisht.

“Unë dhuroj gjak nga viti 1986 kur kam dhuruar për herë të parë gjak, duke mos u ndalur deri në ditët e sotme. Dhuroj gjak katër herë në vit rregullisht”, u shpreh Xhemaili.

Ai tregon raste të shumta kur familjarët e personave për të cilët ka dhuruar gjak, e kanë falenderuar.

Përpos që kujdeset për sigurinë e njerëzve si polic, thotë se dhurimin e gjakut e sheh si mision, për të shpëtuar jetë.

“Pasi  dhurimin e gjakut e bëjë vullnetarisht, gjithmonë kam dëshirë dhe vullnet të shpëtoj jetë dhe të ndihmoj njerëzit në nevojë, pasi që edhe si polic, mision e kemi shpëtimin dhe ruajtjen e jetëve të njerëzve”, theksoi Xhemaili.

Muhamed Xhemaili, pjestarë i Njesisë Speciale Operative në Policinë e Kosovës, duke dhuruar gjak

E në Ditën Botërore të dhurimit të gjakut ai ka edhe një mesazh për të gjithë dhuruesti vullnetarë.

“Të vetëdijsohemi si shoqëri sa më shumë në mënyrë që nga dhurimi i gjakut të shpëtojm jetët e njerëzve në nevojë. Gjithashtu dhurimi i gjakut është pozitiv për shëndetin tonë”, përfundoi ai.

Drejtoresha e Transfuzionit të Gjakut, Bukurie Raca – Zhubi, për Telegrafin tha se inetresimi për dhurimin e gjakut është vazhdimisht në rritje.

“Interesimi për dhurimin e gjakut është sidomos në javën e dhurimit të gjakut, nga 13 qershor deri 19 qershor 2022. Shumë aktivitete të dhurimit të gjakut me marrëveshje të dyanshme janë spostuar në javën e ardhshme”, deklaroi ajo.

Drejtoshesha e Transfuzionit të gjakut, Bukurie Raca – Zhubi

Drejtoresha Raca – Zhubi tregoi se grupet më problematike të gjakut janë kryesisht grupet negative, mirëpo po të njëjtat janë edhe më të kërkuarat.

“Grupet e gjakut negative mbesin më të kërkuarat për shkak që janë me të rralla, por duke iu falënderuar dhuruesve të gjakut kemi arrit t’i mbulojmë kërkesat për këto grupe të rralla. Grupet negative AB Rh D negativ, B Rh D negativ, A Rh D negativ dhe O Rh D negativ janë të rralla një deri tre përqind të rasteve”, tha Raca –Zhubi.

Ajo i falënderoi të gjithë dhuruesit e gjakut, të cilë kanë promovuar dhe inkurajuar dhurimin e gjakut tek njerëzit.

Prej vitit 2004, më 14 qershor në shumë vende të botës shënohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut.

Këtë vit slogani i Ditës Botërore të dhurimit të gjakut është “Dhurimi i gjakut është një akt solidariteti. Bashkoni përpjekjet dhe shpëtoni jetë./Telegrafi/

Exit mobile version