Telegrafi

Mudryk i hapur për një kalim te Arsenali në afatin kalimtar të dimrit

Mykhaylo Mudryk ka qenë një objektiv i Arsenalit gjatë afatit kalimtar të verës, por transferimi i tij në Londër nuk ndodhi.

Sulmuesi ukrainas ishte i gatshëm për t’iu bashkua Topçinjve, por në fund drejtuesit e Asenalit nuk gjetën marrëveshje me ata të Shakhtar Donetsk.

21-vjeçari konsiderohet si njëri nga futbollistët më të talentuar në Ukrainë dhe ai e tregoi vetën edhe në këtë fillim sezoni të Ligës së Kampionëve.

Mudryk në ndeshjen e parë ndaj RB Leipzig ishte fantastik duke shënuar një gol dhe duke asistuar në dy të tjerë në fitoren befasuese të Shakhtar 1-3.

“Unë ëndërroj për të luajtur në Ligën Premier . Mendoj se çdo futbollistë ëndërron të luaj në një kampionat siç është Liga Premier”.

“Arsenali është një ekip shumë i mirë me një trajner shumë të mirë. Më pëlqen mënyra se si ata luajnë”, tha lojtari ukrainas, që ka pranuar se do t’i pëlqente të luante në Londër, por që nuk varet vetëm nga ai.

“Po, do të ishte e vështirë të thosha jo nga ana ime, nuk mund të them jo, por transferimi nuk është vetëm vendimi im dhe fjala ime. Në dimër do të shohim”, tha ai.

Skuadra tjetër angleze Everton gjithashtu ishte e interesuar për të nënshkruar me lojtarin gjatë verës, por pa sukses. /Telegrafi/