Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, në kuadër të “Muajit të Kujtesës” të iniciuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, organizoi sot një ekspozitë me objekte personale të personave që kanë vuajtur nga regjimi komunist si dhe me piktura të Lekë Tasit.
Në këtë aktivitet me karakter historiko-përkujtimor, ishin të pranishëm drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, autori Lekë Tasi, si dhe shumë pjesëmarrës nga fusha të ndryshme si gazetarë, artistë, historianë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Koçi falënderoi së pari Lekë Tasin për dëshmitë që ai ka lënë në librin e tij të njohur “Grabiani rrëzë kodrave”, ku tregohet një nga historitë më të dhimbshme të persekutimit komunist. Nga ana e tij, Tasi tha se libri pasqyron një realitet të zi e të hidhur, që shumë shqiptarë vetëm kanë dëgjuar. Libri është një pasqyrë e gjallë, me të vërteta tronditëse, që asnjëherë ata që i kanë provuar s’kanë për t’i harruar, çka të mban të mbërthyer e gjithë ankth, për episodet nga jeta reale, të paraqitura rrjedhshëm, thjesht e me një të vërtetë absolute, në atë realitet aq të dhimbshëm e të tmerrshëm.