Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e një personi sot në Qendrën e Studentëve.
Ata përmes një komunikate për media kanë thënë se personeli mjekësor i karantinës, ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë ndihmën e parë viktimës.
“Sot më 3 maj, 2020, në ora 17:16 ekipi menaxhues i Karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë është njoftuar nga një zyrtar i Policisë së Kosovës në Qendrën e Studentëve se një person është gjetur në oborrin e Konviktit Nr. VII, me dyshim se ka rënë nga kati V-të. Menjëherë personeli mjekësor i Karantinës së Qendrës së Studentëve ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë personit në fjalë ndihmën e parë si dhe e ka njoftuar emergjencën”, thuhet në njoftim.
Siç njoftohet, në vendin e ngjarjes personi është reanimuar nga ekipi mjekësor i Karantinës deri në arritjen e autoambulancës me ekipin mjekësor, të cilët, gjithashtu, kanë vazhduar me reanimim edhe gjatë transportimit të tij për në Klinikën Emergjente të QKUK-së.
“Personi ka vazhduar të reanimohet edhe në Klinikën Emergjente nga ekipet kujdestare, të cilët e kanë vazhduar kujdesin e avancuar. Për fat të keq, me gjithë përpjekjet e mjekëve në Klinikën e Emergjencës, personi nuk ka mbijetuar. Organet e hetuesisë janë duke u marr me sqarimin e rrethanave të vdekjes. Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen e thellë për këtë rast tragjik dhe u shpreh familjes së të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarit të tyre”, thuhet në njoftim.
Flet babai i 26-vjeçarit nga Gjilani qe vdiq në Qendrën e Studentëve