Site icon Telegrafi

MSh i dorëzon IKSHPK-së 100 mijë teste PCR, SHSKUK-së 16 ventilatorë

Ministria e Shëndetësisë i ka dorëzuar sot Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik 100,000 teste PCR dhe Shërbimit Spitalor 16 ventilatorë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha sot se dorëzimi i 100 000 teste PCR në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike është për të forcuar kapacitetet e testimeve dhe për të vazhduar testimin në masë, pas fillimit të testimeve edhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike.

Krahas kësaj, 16 ventilatorë, i janë dorëzuar Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

“Ashtu siç kemi premtuar, sot i kemi dorëzuar edhe 16 ventilatorë të tjerë Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për të shtuar kapacitetet e trajtimit klinik të pacientëve.

Përkushtimi ynë është që mungesa e testeve të mos jetë asnjëherë temë e punës së profesionistëve tanë shëndetësor dhe përmes rritjes së kapaciteteve të lehtësohet identifikimi i kontakteve të rasteve pozitive dhe të zhvillohet gjurmimi dhe hulumtimi epidemiologjik për ta izoluar sa më shumë virusin”, tha Zemaj.

Testet e dorëzuara në IKSHPK dhe ventilatorët për SHSKUK-në, theksoi ai, janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (huamarrja nga Banka Botërore), ndërsa janë siguruar përmes shërbimeve të prokurimit të UNOPS-it.

“Në stoqet e IKSHPK-së ka teste të mjaftueshme PCR për detektimin e SARS-COV 2, prandaj u bëjmë sërish thirrje qytetarëve nga të gjitha regjionet që të testohen, bëri thirrje Ministri Zemaj.

Mëngjesin e sotëm, Zemaj, qëndroi në Klinikën Infektive të QKUK-së, për të ju uruar specializantëve të Infektologjisë dhe të Radiologjisë fillimin e shkollimit specialistik, të ndarë për ta nga Ministria e Shëndetësisë.

“Armatës së ekipit të mrekullueshëm të infektologëve dhe radiologëve, sot iu shtuan edhe specializantët e rinj. Tashmë në Klinikën Infektive shkollimin specialistik janë duke e kryer 17 mjekë, ndërsa në Klinikën Radiologjike 42. Specializantët do të vazhdojnë shkollimin, ndërsa ne, bartës të përgjegjësive institucionale, na mbetet të përgëzojmë kuadrin tonë për specializim si dhe specializantët e rinj, si e ardhmja e shëndetësisë tonë, duke qenë edhe dëshmitar, edhe kontribuues të kësaj të arriture”, tha  Zemaj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version