Telegrafi

​MSH aprovon edhe dy udhërrëfyes të ri klinik

Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar dy udhërrëfyes të ri klinik. Bëhet fjalë për udhërrëfyesin për diagnostikimin dhe menaxhimin e Tuberkulozit ekstrapulmonar dhe udhërrëfyesin klinik për Menaxhimin e Infeksionit Latent të Tuberkulozit.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj për çka ka thënë se do t’iu shërbejnë profesionistëve të tri niveleve të kujdesit shëndetësor që të bëjnë menaxhimin më të mirë të infeksioneve me tuberkuloz, sipas mjekësisë së bazuar në dëshmi.

“Kam nënshkruar sot aprovimin edhe të dy udhërrëfyesve të ri klinik: Udhërrëfyesin për diagnostikimin dhe menaxhimin e Tuberkulozit ekstrapulmonar dhe Udhërrëfyesin klinik për Menaxhimin e Infeksionit Latent të Tuberkulozit. Këta udhërrëfyes do t’u shërbejnë profesionistëve të tre niveleve të kujdesit shëndetësor që të bëjnë menaxhimin më të mirë të infeksioneve me tuberkuloz, sipas mjekësisë së bazuar në dëshmi. Me këta dy udhërrëfyes klinik të aprovuar sot, numri i tyre ka arritur në 19. Prej fillimit të hartimit të Udhërrëfyesve dhe Protokolleve Klinike, MSh ka hartuar dhe aprovuar gjithsej 8 udhërrëfyes klinik, ndërsa vetëm gjatë mandatit tim janë hartuar dhe aprovuar 11 udhërrëfyes klinik”, ka shkruar Zemaj.

Zemaj ka treguar edhe se është formuar grupi punues për hartimin e Protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientët me COVID-19, me përbërje të ekspertëve të lëmive gjegjëse.

“Ky është një hap para për fuqizimin e menaxhimit dhe trajtimit gjithëpërfshirës të infeksionit Covid-19. Presim që Grupi punues brenda afateve të përcaktuara ligjore ta finalizojë protokollin në fjalë”, ka shkruar Zemaj.