Site icon Telegrafi

MSA-ja zbret çmimet e produkteve të prodhuara në shtetet e BE-së

Me fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Kosova ka filluar një fazë të re të marrëdhënieve ekonomike dhe politike me BE-në.

Kjo marrëveshje mundëson krijimin e tregut të përbashkët të Kosovës dhe BE-së, reforma që lidhen me bashkëpunimin rajonal dhe, në veçanti, lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, punëtorëve dhe kapitalit.

Kështu ka thënë ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili theksoi se përgjatë një periudhe 10-vjeçare, BE-ja do të mbështesë Kosovën të përmbyllë ciklin e tranzicionit drejt një ekonomie tregu të qëndrueshme dhe të integruar në BE. Sipas tij, MSA-ja parasheh heqjen e barrierave tregtare (në sasi dhe vlerë) dhe tarifave doganore.

“Kompanitë kosovare tani kanë qasje në një treg me 500 milionë konsumatorë. MSA do të nxisë investimet e jashtme, pasi kompanitë e BE-së do të mund të prodhojnë në Kosovë me kosto shumë më të lirë (kryesisht kostoja e fuqisë punëtore) dhe të eksportojë në BE pa asnjë pengesë. Këto investime krijojnë vende pune që janë shumë të nevojshme për Kosovën”, u shpreh Hoti, raporton Koha.net.

Në anën tjetër, siç theksoi ministri Hoti, qytetarët kosovarë do të kenë mundësi të blejnë produkte të prodhuara në BE me kosto më të lirë.

“Kostoja buxhetore e lirimeve doganore si rezultat i MSA-së vetëm për vitin 2016 është rreth 24 milionë euro. Në një treg konkurrent, kjo shumë pritet të mbesë në xhepat e konsumatorëve pasi ata blejnë më lirë mallrat e importuara nga BE krahasuar me më parë”, tha ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Megjithatë, ai pranoi se vitet e para të zbatimin të MSA-së do të jenë sfiduese për prodhuesit kosovarë pasi që, sipas tij, ata do të duhet të përmbushin kriteret e cilësisë për qasje në tregun e BE-së.

Por, ai tha se institucionet shtetërore do të jenë në krah të bizneseve për të ndihmuar prodhuesit të përmbushin këto kritere.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke punuar në këtë drejtim, për të subvencionuar drejtpërdrejt bizneset në marrjen e certifikatave të cilësisë për produkte nga institute respektove në vendet e BE-së. Ministria e Financave do të jetë në shërbim të prodhuesve kosovarë për të lehtësuar qasjen e tyre në tregun e BE-së”, u shpreh ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Exit mobile version