Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është ndarë i kënaqur me fitoren e arritur në udhëtim te Feronikelit me rezultat 2-1.
Tekniku llapjan ka folur pas ndeshjes për mënyrën se si skuadra e tij e gjeti rrugën e fitores në “Rexhep Rexhepi” për herë të parë në historinë e klubit.
“Gjithmonë kur të luash kundër kampionit është vështirë, jemi mobilizuar për këtë ndeshje që të luajmë maksimalisht, të shënojmë një gol në pjesën e parë. Komplet pjesa e dytë ishte taktizim, ku donim ta shënonim golin e dytë dhe të dilnim shpejtë në sulm”.
Ai gjithashtu foli edhe për pikat e forta të skuadrës së Llapit këtë edicion, ndërkohë që foli edhe për atmosferën brenda ekipit të tij.
“I kam kushtuar shumë rëndësi Kastriot Rexhës, të cilin e kemi mbuluar mirë dhe i përgëzoj futbollistët e mi. Në pjesën e dytë gjithmonë kemi luajtur me tri pasime dhe kemi dalë shpejtë në sulm”.
“Atmosfera është e jashtëzakonshme në skuadër dhe mendoj që e meritojmë këtë fitore sidomos ndaj Feronikelit”.
“Unë mendoj që Llapi ka luajt mirë në sulm. Mund të them se është viti i parë që Llapi ka mbrojtje të mirë. Sebino Plaku, Mërgim Pefqeli dhe Mentor Zhdrellën nuk kam çfarë t’i mësojë, vetëm duhet t’i vendosi mirë taktikisht”, ka thënë Batatina për “Super Sport Kosova”.
Me këtë fitore Llapi renditen në pozitën e parën me 17 pikë, ndërsa Feronikeli në pozitën e tretë me 15 pikë. /Telegrafi/