Site icon Telegrafi

MPJD i jep leje kryeministres së Serbisë për ta vizituar Kosovën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, të hënën do të vizitojë Republikën e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka konfirmuar për Telegrafin se i ka dhënë leje për këtë vizitë, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë për vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës,  i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq që ta vizitojë Kosovën me datën 5 shtator 2022”.

“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Lexo po ashtu Brnabiq paralajmëron vizitë në Kosovë, Qeveria hesht

Sipas raportimeve të N1, Brnabiq dhe drejtori i ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të qëndrojë në Mitrovicë, Zveçan dhe Leposaviq.

Vizita thuhet se do të fillojë të hënën në mëngjes, ku Brnabiq do të vizitojë qendrën multimediale dhe Akademinë Shpirtërore në Mitrovicë, pas së cilës planifikohet të vizitojë manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit.

Në komunën e Leposaviqit, ajo do të vizitojë familjen e vëllezërve Radosavljeviq, të cilët do të vendosen në shtëpinë e re të ndërtuar me mjete nga Qeveria e Serbisë. Brnabiq do ta mbyllë vizitën në komunën e Leposaviqit me një xhiro nëpër ferma familjare.

“Vizita e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, në Kosovë synon të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, në kuadër të të cilave rruga e vetme për të arritur këtë është qëndrimi dhe mbijetesa e serbëve në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, gjithashtu është bërë e ditur se vizita është paralajmëruar 72 orë më herët, që është në përputhje me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/

Exit mobile version