Site icon Telegrafi

MPJ: Vokrri i dha shtytje avancimit ndërkombëtar të futbollit përmes anëtarësimit në FIFA dhe UEFA

Përmes një komunikate për media, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e Fadil Vokrrit.

“Ministria e Punëve të Jashtme e ka pranuar me shqetësim të thellë dhe tronditje të rëndë lajmin trishtues për humbjen e presidentit të Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës dhe ish-futbollistit të dalluar, Fadil Vokrri”.

“MPJ vlerëson se Vokrri jo vetëm që la gjurmë të pashlyera historike në profesionin dhe të arriturat si sportist i dalluar, por ai me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij u shndërrua në forcë kryesore shtytëse për zhvillimin e futbollit në nivel kombëtarë dhe avancimin ndërkombëtarë nëpërmjet anëtarësimit të vendit tonë në FIFA dhe UEFA”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Fadil Vokrrin

“MPJ do të kujtojë gjithherë rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm që Vokrri i dha vendit nëpërmjet Diplomacisë së Sportit, duke e forcuar subjektivitetin ndërkombëtarë të Kosovës dhe duke e promovuar shtetin e ri gjithandej nëpër botë”.

“Ministria e Punëve të Jashtme i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të të afërmve të tij në këto momente të vështira”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Fadil Vokrri ndërroi jetë mëngjesin e të shtunës nga një infarkt në zemër. Ai ishte 57-vjeçar. /Telegrafi/

Exit mobile version