Këshilltari i shefit të diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, ka reaguar ndaj vizitës së shefit të UNMIK-ut në Beograd për të biseduar me autoritetet e atjeshme për gjoja shqetësimet rreth një pjesëtari të kriminalizuar të këtij misioni ditë më herët në Kosovë.
Zyberaj në një postim në Facebook shkruan se nuk mund të kuptohet se si në rrethanat aktuale, Zahir Tanin ka mundur të vizitojë Serbinë dhe ta takojë presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kur dihet botërisht se me deklarata, Serbia nuk fsheh synimet e saj për destabilizimin e rajonit.
“Janë vetëm pak adresa zyrtare, ku Tanin do të duhej me vetiniciativë të kërkonte takime sqarues, për të krijuar distancë të përgjegjësisë së misionit që ai drejton nga skandali i punonjësit të tyre. Janë institucionet e Republikës së Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Kosovë. Serbia dhe Beogradi janë adresë e huqur, e gabuar”, shkruan Zyberaj.
Duke përkujtuar se shefi i UNMIK-ut tashmë ka dështuar të distancohet ndaj deklaratave të tilla të zyrtarëve serbë, Jetliraj thotë se shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli i është drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe vendeve anëtare të KS të OKB-së, për të kërkuar përgjegjësi se si UNMIK-u vepron kundër interesave të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, dhe në funksion të krimit dhe kontrabandës.
“Deklaratat e përfaqësuesve të këtij misioni në ditët e fundit kanë qenë në mungesë të respektit ndaj institucioneve të Kosovës dhe ne do të marrim masa”, thekson Zyberaj.
Ndryshe, shtetasi rus Mikhail Aleksandrovich Krasnoschenkov, zyrtar i UNMIK-ut, është arrestuar kohë më parë pasi pengoi aksionin e policisë speciale të Kosovës në veri kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke barrikaduar rrugën me makinën e tij zyrtare të UNMIK-ut.
Ministria e Jashtme e Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, shpalli shtetasin rus person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës.
Haradinaj e quajti Krasnechenkovin agjent rus i kamufluar nën petkun e UNMIK-ut.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka nisur letër OKB-së dhe shteteve tjera, për të kërkuar shpjegim pse shtetasi rus doli kundër aksionit të Policisë së Kosovës kur po kryenin punën e vet, kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar. /Telegrafi/