Site icon Telegrafi

MPJ reagon për tërheqjen e njohjes nga Gana: Propagandë e ndyrë nga Ivica Daçiq

Pas deklaratave të ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq i cili tha se Republika e Ganes ka tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit në detyrë të MPJ-së, Behgjet Pacolli, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky është një tjetër lajm i rrejshëm.

Zyberaj ka thënë se kjo është një propagandë e vazhdueshme dhe e ndyrë nga Ivica Daçiq.

Lexo po ashtu Vazhdon lufta diplomatike e Serbisë, Daçiq: Gana, shteti i 16-të që tërheq njohjen e Kosovës

Sipas tij Gana ka një ambasadore të akredituar në Kosovë dhe një konsull nderi poashtu.

“Është lajm i rrejshëm i radhës. Çdo anëtar i OKB mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Shumica e vendeve anëtare të OKB kanë votuar në vitin 2010 rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB që filloi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është një propagandë e vazhdueshme dhe një fushatë e ndyrë nga Ivica Daçiq që është e kotë të humbësh kohën me të. Gana ka një Ambasadore të akredituar në Kosovë. Gana ka një konsull nderi në Kosovë i cili i përfaqëson ata. Kohën e fundit Ministri Pacolli u takua me Ministren e Punëve të Jashtme të Ganës në OKB në Nju Jork”, tha Zyberaj.

Ndryshe Daçiq ka deklaruar se Republika e Ganës është shteti i 16-të i radhës që ka tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe se deri në fund të vitit do të ketë edhe ç’njohje të tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version