Telegrafi

MPJ: Nuk lejojmë Beogradin të ndikojë në procesin zgjedhor

Këshilltari i ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, ka reaguar sot ndaj paralajmërimit të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq se do të vijë për vizitë në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook shkruan se deklarata e presidentit serb Vuçiq së dëshiron të vijë në Kosovë para zgjedhjeve është një provokim dhe frikësim i serbëve të Kosovës dhe nuk mundëson fushatë zgjedhore dhe votim të drejtë te komuniteti serb.

“Agjenda e Beogradit dihet. Ne nuk do të lejojmë që ky skenar i Beogradit të ndikojë në procesin zgjedhor të Kosovës dhe të pengojë qytetarët tanë që të votojnë të lirë. Në të njëjtën kohë edhe politikanët serbë që janë persona non-grata në Kosovë nuk do të lejohen të vizitojnë Kosovën”, ka thënë Zyberaj.

Ndryshe, Vuçiq i cili kishte qenë vitin e kaluar për vizitë në Kosovë, sot ka paralajmëruar serish vizitë gjatë shtatorit. Herën e kaluar, ai qëndroi në veri, ndërsa vizita e paralajmëruar në Banjë nuk u realizua pasi qindra protestues nga Skenderaj bllokuan dy rrugë kryesore nga Mitrovica për në Skenderaj.