Site icon Telegrafi

MPJ bullgare: Çdo deklaratë që provokon ose ofendon palën tjetër është e papranueshme

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka reaguar në lidhje me notën verbale për deklaratat e eurodeputetit Angell Xhambaski.

Nga MPJ bullgare thonë se “Bullgaria gjithmonë ka kërkuar të forcojë dhe thellojë miqësinë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut. Bullgaria ka bërë shumë përpjekje për realizimin e këtij qëllimi gjatë viteve të fundit”.

Siç njofton AIM, në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë thekson se janë absolutisht të papranueshme çdo deklaratë publike që fyen apo provokon palën tjetër. Nga MPJ thonë se deklaratat e tilla nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të shtetit bullgar dhe tentativat për t’u paraqitur si të tillë janë të pasakta dhe shenjë keqbesim.

Lexo po ashtu MPJ e Maqedonisë së Veriut i kërkon Bullgarisë të distancohet nga Xhambaski

“Pavarësisht provokimeve të shumta kundër Bullgarisë dhe veçanërisht ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut në muajt e fundit, Ministria e Punëve të Jashtme bullgare vlerëson se një fjalim i tillë është i papranueshëm dhe jashtëzakonisht kundërproduktiv. Deklarata të tilla nuk janë në interes të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata e largojnë vëmendjen e publikut nga përpjekja e drejtë dhe legjitime e komunitetit bullgar për të drejta të barabarta civile, veçanërisht për shoqërim të lirë dhe mbrojtje të trashëgimisë së tyre kulturore dhe historike”.

“Në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017 ndërmjet Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, u bëjmë thirrje politikanëve dhe figurave publike në të dy anët e kufirit që t’i drejtojnë përpjekjet dhe mesazhet e tyre për të mbështetur procesin e rimëkëmbjes së besimit dhe vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare./Telegrafi/

Exit mobile version