Telegrafi

MPB: Nuk kemi marrëveshje me Gjermaninë për njohje të patentë shoferëve

Njohja ndërkombëtare e patentë shoferëve të Kosovës, mbetet ende sfidë qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë në vendet e ndryshme evropiane.

Patentë shoferët e lëshuar në Kosovë, në shumë vende të Bashkimit Evropian nuk njihen, dhe si rezultat i kësaj shumë bashkëatdhetarë obligohen që të rimarrin një leje të re për vozitje në shtetin që jeton.

Ani pse është thënë se shteti i Gjermanisë mund të filloj bashkëpunimin institucional për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës, një gjë e tillë tani për tani nuk do të ndodhë.

Ministria e Punëve të Brendshme, në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se ende nuk kanë ndonjë marrëveshje me shtetin gjerman për njohje të patentë shoferëve.

“Nuk kemi marrëveshje për njohjen reciproke për patentë shoferë me Republikën e Gjermanisë në momentin që do të ketë marrëveshje do të njoftoheni”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ndryshe, në shkurt të këtij viti, ambasada e Kosovës në Gjermani ka sqaruar se autoritete gjermane kanë bërë një raport me statistikat për aksidentet dhe sigurinë në rrugë, mënyrën e kalimit të testeve dhe prodhimin e dokumentacionit në Kosovës, në bazë të të cilit raport do të merret edhe vendimi për patentë shoferë.

“Gjatë takimeve të autoriteteve gjermane me disa prej Ministrave të Qeverisë së Kosovës dhe shikimi të të gjitha fushave që kanë të bëjnë me proces e marrjes së patentshoferëve- nga statistikat për aksidentet dhe sigurinë në rrugë, mënyra e kalimit të testeve, prodhimi i dokumentacionit dhe të gjitha fushat tjera që kanë të bëjnë me këtë proces- Kosova hyn në fazë të re në këtë proces thellësisht teknik. Një falënderim shkon për Agjensionin e Regjistrimit Civil dhe drejtuesit e saj për përkrahjen e pakursyer në këtë proces”, kishte sqaruar ambasada e Kosovës në Gjermani.

Lexo po ashtu Kështu do të duket patentë shoferi ndërkombëtar i Kosovës

Sot, Agjencia për Regjistrim Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së patentë shoferëve ndërkombëtarë. Gjashtë shpërndarjes së patentë shoferëve, Bajram Gecaj nga MPB-ja, tha se do të punohet me shtetet tjera që ky patentë shofer të njihet ndërkombëtarisht. /Telegrafi/