Site icon Telegrafi

MPB-ja do të formojë 9 komisione në shërbim të KSHZ-së

Kryeministri teknik, i obliguar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, Emil Dimitriev, ka bërë të ditur se MPB-ja do të formojë gjithsej nëntë komisione të cilat do të jenë në shërbim të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), transmeton Telegrafi Maqedoni.

Kjo është bërë e ditur në takimin ndërmjet kryeministrit Dimitriev dhe KSHZ-së, ku mori pjesë edhe ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, zv. ministri shtesë i punëve të brendshme Mitko Çavkov, zv. ministri i punëve të brendshme, Zemri Qamili, zv. ministrja për drejtësi Biljana Brishkovska Boshkovska dhe një përfaqësues nga Drejtoria e librit amë.

Një komision i MPB-së do të jetë në nivel shtetëror, kurse tetë tjerët do të jenë në nivel lokal, ndërkaq KSHZ-ja e njoftoi kryeministrin se krahasimi i të dhënave do të përfundojë këtë fundjavë dhe se në javën e ardhsme duhet të nisë verifikimi në terren i të dhënave, por nuk bëhet e ditur se sa ditë do të zgjasë verifikimi në terren.

Pritet që në fundjavë të përfundojë mundësia për verifikimin edhe të të dhënave të qytetarëve përmes aplikacionit që është vendosur në faqen e internetit të KSHZ-së, që më pastaj të dihet numri i saktë i qyetarëve që kanë paraqitur ankesa./Telegrafi/

Exit mobile version