Ministria e Punëve të Brendshme ka investuar në shkollimin pesë vjeçar të njëmbëdhjetë studentëve në Akademinë e Policisë në Turqi, por në momentin që kanë ardhur në Kosovë, atyre iu janë mbyllur dyert në Policinë e Kosovë.
Kështu u tha në komisionin për Punë të Brendshme të Kuvendit të Kosovës, ku tha se ata kanë gjatë vite që presin sistemim në institucione të sigurisë. Po ashtu, në takimin e komisionit ishte edhe ministri i Punëve të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, të cilit iu rekomandua që në bazë të ligjit t’i gjejë vende pune këtyre kadetëve.
Anëtari i komisionit Fatmir Xhelili foli për një grup prej 11 studentëve të cilët gjatë pesë viteve kanë kryet Akademinë e Sigurisë në Turqi. Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme ka investuar në formë burse për këtë shkollim, por pas përfundimit të akademisë, ata kanë pasur dyert e mbyllura në polici dhe institucione të sigurisë.
“Jemi ardhur në përfundimi si komision me iu rekomanduar juve ministër dhe ekipit tuaj me gjet formën dhe mundësinë, ani pse me vonesë 6 vjeçare, me gjet formën që këta të rinj me u punësuar në kuadër të instrumenteve të Ministrisë së Brendshme dhe shteti jonë dhe ministria të përmbush obligimin ndaj tyre jo vetëm ligjor por edhe moral“, tha ai.
Anëtari i tjetër i komisionit, Rexhep Selimi tha se këta janë paguar me linjën që paguhen edhe kadetët e Policisë së Kosovës. Sipas tij, tre prej tyre kanë heq dorë nga integrimi dhe tetë prej tyre janë duke pritur.
“Pse shteti i dërgoi ata, kaluan pse vite atje dhe nuk i integroi dhe tek e fundit ai shkollim iu ka dedikuar institucioneve të sigurisë në Kosovë, iu ka dedikuar Policisë së Kosovës. Tash ne mund të thirremi në ligj për rekrutimin në Policinë e Kosovë, por edhe ne sikur të kishim ligj për rekrutimin në Policinë e Kosovës, tash ata kanë kaluar moshën, pra nuk janë më në moshë që sipas ligjit do të mund të rekrutoheshin në Policinë e Kosovës, por Kosova ka disa institucione të sigurisë”, tha ai.
Këtij shqetësimi iu përgjigj ministrit të Punëve të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili ka thënë se integrimi i këtyre studentëve është edhe shqetësim i tij por në atë kohë, legjislacioni i atëhershëm në fuqi nuk i ka lejuar që ata të integrohen menjëherë në Policinë e Kosovës.
“Paraardhësi im iu ka ofruar atyre një mundësi po ata e kanë refuzuar nëpër agjencionet paraprake të ministrisë që kemi, agjencioni i emergjencave dhe agjencioni i inspektoratit policor, ata e kanë refuzuar një gjë të tillë por kanë deshtë të inkuadrohen menjëherë në uniformë. Legjislacioni në fuqi nuk ia ka lejuar atyre të jenë të punësuar në atë mënyrë dhe për këtë ne nuk kemi llogari që personat e tillë t’i lëmë në rrugë. Unë jam i angazhuar për këtë punë dhe me drejtorin e zyrës ligjore kam biseduar që ata duhet të inkuadrohen por duhet të inkuadrohen në institucione tona të Ministrisë së Punëve të Brendshme, jo të thyejmë ligje që ata të punësohen në Policinë e Kosovës“, ka thënë ai.
Këtu reagoi deputeti Rexhep Selimi duke pyetur se me çfarë legjislacioni janë dërguar në Akademinë e Sigurisë në Turqi. Kurse, ministri Mustafa tha se në marrëveshje nuk kanë pas garanton se do të punësohen në Policinë e Kosovës por edhe në agjencione të sigurisë. Derisa, premtoi se do të shikojnë mundësinë që ky grup të integrohet sa më shpejt në MPB.
Anëtari Ismet Beqiri tha se kjo është e pakuptueshme dhe papërgjegjësi totale, pavarësisht prej cilit subjekt politik vinë, pasi obligimi është marrë në momentin që është financuar.
“Pjesa e jetës më të mirë iu ka shkuar duke mos e dhënë kontributin për çka janë shkolluar dhe unë jam i bindur që ka hapësirë në institucione tona veç t’i lëmë do punësime familjare, do jarani, do partiake, jo që ka për ata por ka edhe për shumë tjerë“, tha Beqiri.
Komisioni ka miratuar edhe ndryshimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Letërnjoftim, ku grupi punues ka rekomanduar pesë amendamente. /KP/