Rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë persona ka tmerruar gjithë vendin dhe ka ngjallur reagime të shumta.
Të shumta kanë qenë edhe reagimet dhe thirrjet kundër dhunës nga emrat më të njohur të estradës dhe influencuesve të rrjeteve sociale.
I zëshëm për këtë rast ka qenë edhe reperi i njohur, Mozzik i cili ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme ( e mërkurë) me postimet të shumta në llogarinë e tij të Instagramit.
Mozzik ndër tjera ka bërë thirrje ndaj femrave që të denoncojnë rastet e dhunës, kërcënimet dhe presionet, e të mos kenë frikë ta bëjnë një gjë të tillë.
“Të gjitha femrat që kanë kërcënime, që kanë presion e që dhunohen nga meshkujt, lajmërohuni, denonconi mos u frikësoni! Lajmëroni mos të ua ndien hiç. Edhe për çdo fjalë ngacmuese që merrni lajmëroni institucionet”, ka shkruar Mozzik.
Krijuesi i hitit “Madonna” tutje ka kërkuar që t’i dërgojnë rastet e dhunimit në Kosovë që kanë marrë dënime të lehta, dhe ai do t’i postoi në Instagram.
“Mbani fakte! Duhet të jeni të pajisur me fakte, argumente për çdo dhunë, presion të mundshëm nga një mashkull idiot. Askush në këtë jetë nuk mundet me ta blerë e kufizuar lirinë tënde! Parandaloni rreziqet. Sot kemi të bëjmë me gjithçka në rrugë dhe ju e dini mirë këtë”, ka shkruar reperi në një tjetër postim.
Kujtojmë që sot është mbajtur protesta e paralajmëruar në sheshin “Zahir Pajaziti”, ndërkohë një e tillë pritet të mbahet edhe në Tiranë. /Telegrafi/