“Cocaina” e reperit ferizajas, Mozzik, ishte një ndër hitet e viteve të fundit. Ky projekt është lansuar në kohën kur reperi ishte pjesë e labelit “On Records”.
Kjo këngë është rikthyer së fundmi në kanalin YouTube nga menaxheri i “On Records”, Met Elshani dhe tanimë numëron 60 milionë shikime.
Përveç në gjuhën shqipe, Mozzik e ka publikuar një pjesë të kësaj kënge edhe në gjuhën gjermane, pasi që tash e një kohë po jeton jashtë trojeve shqiptare. “Kënga ime Cocaina në gjuhën gjermane”, shkruan reperi krahas versionit të ri të këngës.
Mozzik ka më shumë se dy vite që është larguar nga labeli “On Records”, bashkë me vëllanë e tij, Getinjon.
Ai më shumë është fokusuar në tregun ndërkombëtar, ku këngët e tij të fundit që ka sjellë me bashkëshorten, Loredan, janë të kombinuara në shqip dhe në gjermanisht, pasi kjo e fundit ka lindur dhe është rritur në Zvicër.
Një projekt i ri nga Mozzik pritet të publikohet së shpejti me reperin që po bën karrierë në Gjermani, Dardan. /Telegrafi/