Telegrafi

Mourinho, tjetër sulm ndaj Chelseat: Asnjëherë nuk kam pasur një ekip që më pëlqen sa Unitedi

Jose Mourinho ka bërë një sulm të ri kundrejt lojtarëve të Chelseat duke thënë se Manchester Unitedi është skuadra më e mirë me të cilën ka punuar ndonjëherë dhe i ka në dispozicion lojtarët që i pëlqejnë më së shumti.

Strategu portugez u shkarkua nga posti i trajnerit të Bluve në mes të sezonit 2015/2016, ndërsa në edicionin e kaluar ekipin nga Londra e mori Antonio Conte dhe e bëri kampion të Ligës Premier.

Nga ana tjetër, Mourinho u angazhua trajner i Djajve të Kuq dhe zuri vetëm vendin e gjashtë në tabelë, mirëpo fitoi Kupën EFL dhe Ligën e Evropës, dhe falë triumfit të dytë siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

“Jam shumë i lumtur që jam trajner i këtyre djemve, asnjëherë nuk kam pasur një ekip që më pëlqen kaq shumë gjatë karrierës time të gjatë. Do të luftoj për ta”, ka thënë Mourinho për BT Sport.

Përkundër humbjes nga Real Madridi në Superkupën evropiane, trajneri është shprehur i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij. /Telegrafi/