Sergio Ramos ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, kur kontrata me Real Madridin është drejt fundit.
Kanë mbetur edhe dy javë që Ramos të mbetet zyrtarisht futbollist i lirë, pasi kontrata me Los Blancos skadon më 30 qershor.
Shumë skuadra janë në garë për mbrojtësin spanjoll, derisa së fundmi edhe Roma është futur dhe po kërkon ta transferojë atë.
Madje ka qenë vet trajneri i ri i Romës, Jose Mourinho që është marrë personalisht me mbrojtësin.
Mediat spanjolle kanë raportuar se ‘Special One’ e ka telefonuar Ramosin dhe i ka kërkuar që ta ndjekë atë në aventurën italiane.
Te Roma janë shumë të interesuar ta kenë mbrojtësin me përvojë të madhe në skuadër, por problem mbetet paga jashtëzakonisht e lartë e tij.
Edhe ish-skuadra e tij, Sevilla po bën përpjekje ta rikthejë atë në shtëpi, por skuadra favorite mbetet Paris Saint Germain.
Kryeqytetasit francezë janë gati t’i ofrojnë kontratën më të mirë financiare dhe kjo është njëra nga arsyet kryesore që PSG mbetet favoriti kryesor për të nënshkruar me Ramos.
Gjithsesi largimi i veteranit nga Santiago Bernabeu duket i sigurt, derisa mbetet të shihet nëse ai do rikthehet në shtëpi, t’i bashkohet Mourinhos te Roma apo do ta zgjedh aventurën franceze me PSG-në. /Telegrafi/