Jose Mourinho i ka dhënë fund thashethemeve disa vjeçare duke zbuluar më në fund klubin të cilin ai e mbështet.
Tekniku portugez ka drejtuar disa prej klubeve më të mëdha në Evropë gjatë karrierës së tij të pasur, duke fituar trofe pothuajse me secilën prej tyre.
Karriera menaxheriale e Mourinhos arriti kulmin kur e fitoi Ligën e Kampionëve me Porton në vitin 20024, para se të fitonte dy herë radhazi Ligën Premier me Chelsean.
Tek Interi ai fitoi tripletën historike, ndërsa me Real Madridin i dha fund dominimit të Pep Guardiolës me Barcelonën.
Përkundër disa aventurave jo të suksesshme tek Unitedi dhe Tottenhami, ai kishte marrëdhënie të afërta me pothuajse të gjitha klubet që ka drejtuar.
Në një intervistë për MARCA, 60-vjeçari ka deklaruar se është një ekip në veçanti, të cilin ai gjithmonë e ka mbështetur.
“Unë takova një tifoz të Real Madridit në Portugali dhe ai më përshëndeti me një gëzim të jashtëzakonshëm. Unë gjithmonë kam qenë një madrilen dhe do të jem gjithmonë”, ka thënë Mourinho.
Kur u pyet për arsyen e kalimit të tij tek Roma në vitin 2021, Mourinho e mori si shembull Carlo Ancelottin.
“Nuk ndodh shpesh që trajnerët e suksesshëm të marrin një projekt më të vogël, përveç Carlos me Evertonin. Njerëzit mendojnë se ne jemi të mbaruar dhe pastaj ai shkoi në Madrid dhe i fitoi të gjitha sërish”.
“Kur gjenerata ime dhe e Carlos të përfundojë, unë kam dyshim se do të gjejmë dikë me karrierë kaq të gjatë dhe të suksesshme. Sot trajnerët e mirë arrijnë me më shumë shpejtësi dhe me të njëjtën shpejtësi zëvendësohen”, ka thënë portugezi.
Gjatë tri sezoneve të Mourinhos në ‘Santiago Bernabeu’, mes viteve 2010 dhe 2013, ‘The Special One’ fitoi tre tituj, La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës./Telegrafi/