Site icon Telegrafi

Mourinho ironizon me Juventusin dhe Barcelonën: Peshkaqenët e dështuar të Ligës së Kampionëve po vijnë në Ligën e Evropës

Roma nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 në udhëtim te Real Betis.

Giallorosët tani duhet t’i fitojnë dy ndeshjet e fundit ndaj Helsinkit dhe Ludogorets në mënyrë që të kalojnë nga Grupi.

Jose Mourinho e sheh Real Betisin si favorit për ta fituar Ligën e Evropës, por ai nuk ka harruar të ironizojë me dy ekipe rivale që ka pasur më parë.

Fjala është për Juventusin dhe Barcelonën, ku Mourinho ka krijuar një rivalitet të madh sa ishte pjesë e Interit respektivisht Real Madridit.

Special One i ka quajtur të dështuara dy skuadrat që kanë pak gjasa të kalojnë grupin në Ligën e Kampionëve dhe do të bien në Ligën e Evropës.

“Unë e shoh Betisin si kandidatë për ta fituar trofeun, por peshkaqenë të dështuar të Ligës së Kampionëve do të vijnë dhe Betis do të jetë në vështirësi për ta fituar këtë trofe”.

“Ata nuk duhet të vijnë, por ky është realiteti. Do të jetë argëtuese që të përballemi me dështimet e Ligës së Kampionëve”, deklaroi Mourinho.

Përveç Juventusit dhe Barcelonës që me shumë gjasë do të bien në Ligën e Evropës, fatin e tyre mund ta ndjekin edhe Milani dhe Atletico Madrid që nuk qëndrojnë mirë në grupet përkatëse në Ligën e Kampionëve.

Gjithsesi tani edhe të enjteve do të ketë skuadra të mëdha duke luajtur dhe Liga e Evropës do të jetë tejet interesante. /Telegrafi/

Exit mobile version