Telegrafi

Mourinho: Everton-Tottenham ishte si ‘macja me miun’

(Foto: Screenshot/Twitter/Goal)

Jose Mourinho ka thënë se paraqitja e Tottenham Hotspur ndaj Evertonit në ndeshjen e Kupës FA i ishte dukur si “macja me miun”.

Spursat pësuan me rezultat 5-4 në trilerin e nëntë golave duke u eliminuar nga kjo kupë.

Sfida e të mërkurës ishte takimi me më së shumti gola, në të cilin është përfshirë skuadra që udhëheq portugezi, njëherësh ishte ndeshja me më së shumti gola në FA Cup që nga dueli ndërmjet Sheffield Wednesday dhe Manchester United (7-2) në vitin 1961.

(Foto: Twitter/Goal)

“E shijova dhe nuk e shijova. Më pëlqeu mënyra si luajtëm me top. Krijuam raste, patëm lëvizje të shkëlqyera, shënuam gola, krijuam raste. Treguam karakter të shkëlqyer duke luftuar ndaj gabimeve të pabesueshme”.

Lexo po ashtu Spektakël me nëntë gola në FA Kupë mes Evertonit dhe Tottenhamit, Ancelotti eliminon Mourinhon pas një trileri të vërtetë

“Por, futbolli ofensiv i fiton ndeshjet vetëm kur nuk bëni më shumë gabime sesa raste shënimi. Shënuam katër gola dhe nuk mjaftuan”.

“Na dhemb të gjithëve. Mendoj se luajtëm shumë mirë me top, ishim të guximshëm, ishim skuadra më e mirë kur ishim 1-0 dhe brenda pesë minutash ishte gabim, gabim, gabim, gol, gol, gol”.

“U rikthyem sërish dhe bëmë më shumë gabime. Ishte si macja me miun. Miu ishin gabimet tona dhe macja ishin përpjekjet tona për ta kompensuar atë”, ka thënë Mourinho pas ndeshjes. /Telegrafi/