Jose Mourinho pranon se pret që Eden Hazard të largohet nga Chelsea këtë verë për t’u bashkuar me Real Madridin.
Belgu ka mbetur me vetëm edhe një vit në marrëveshjen e tij aktuale në Stamford Bridge dhe i ka bërë të qartë drejtuesve se ai dëshiron të largohet pas finales së Ligës së Evropës kundër Arsenalit.
Hazard luajti me idenë e bashkimit me Real Madridin verën e kaluar, por largimi i Zinedine Zidane, i kombinuar me bindjen e Maurizio Sarri, e bindi atë të qëndronte edhe për një vit tjetër në perëndim të Londrës.
Megjithatë, Hazard tani pritet të shkojë në Real Madrid dhe Mourinho pranon se pret që anësori sulmues të largohet nga Stamford Bridge.
“Duket sikur është ndeshja e fundit me Blutë për Eden Hazard”, ka thënë fillimisht Mourinho për Sky Sports.
“Ai është një lojtar që ishte vendimtar për suksesin e Chelseat në brezin e fundit dhe Eden gjithashtu do të përpiqet të jetë ai që është shumicën e kohës – një lojtar fantastik në fushë”.
“Ai dëshiron të fitojë dhe ndoshta të shkojë në Real Madrid me një trofe të fundit për Chelsean”, përfundoi portugezi. /Telegrafi/