Site icon Telegrafi

Motrat, që e duan punën e IT-së

Arta, 28 vjeçare, dhe Fiona, 23vjeçare, e kanë për synim t’i  bëjnë fëmijët krijues të teknologjisë. Kjo është arsyeja se përse të dy motrat e kanë themeluar biznesin fillestar “J-Coders” dhe tani u mësojnë fëmijëve njohuritë për programim.

Që të dy motrat kanë studiuar në fushën e inxhinierisë elektronike dhe kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Megjithatë, Fiona thotë se në fillim softueri dhe programimi janë asociuar me detyra të ftohta dhe të vështira, dhe vetëm pas një kohe ajo i ka parë mundësitë e reja dhe interesante që ato i ofrojnë.

Loja me LEGO së bashku me dy vajzat e saj ia dha Artës idenë për fillimin e biznesit: blloqet LEGO ishin të programueshme, andaj gjatë lojës fëmijët mund të mësojnë rreth teknologjisë dhe softuerit. Arta do të dëshironte që të ekzistonte një planprogram i gjerë ku përmes argëtimit dhe ndërveprimit fëmijët do të mësonin për projektimin e softuerëve dhe për programimin.

Për këtë arsye dy motrat vendosën që të zhvillojnë një planprogram për fëmijët e moshave nga 8-15 vjeç. Arta dhe Fionai kanë ruajtur vendet e tyre të punës në Raiffeisen Bank dhe USAID, por kanë punuar vonë gjatë mbrëmjeve për ta realizuar idenë tyre për biznes: Ato e kanë krijuar një klasë dhe e kanë përgatitur një program të trajnimit bazuar në planprogramin aktual MIT. Konceptin e tyre ato po ashtu e kanë prezantuar në Innovation Center of Kosovo/Qendrën Kosovare të Inovacioneve, si dhe tek OJQ-ja “Help” për marrjen e mbështetjes dhe granteve për financimin e laptopëve për nxënësit.

“Në aspektin kohor gjërat kanë qenë shumë të vështira”, thonë ato “nganjëherë ne kemi punuar deri në orën 1 apo 2 pas mesnate.” Por përpjekjet janë shpaguar: në fillim të nëntorit, klasa e parë filloi me 14 nxënës, dhe nga janari 2016, Arta dhe Fiona planifikojnë t’i mësojnë edhe dy grupe të tjera.

Të dy femrat janë të lumtura që miqtë dhe familjarët po e mbështesin punën e tyre, dhe që ata u kanë dhënë kurajë kur ato kanë pasur mëdyshje nëse do t’i arrinin synimet. “Nuk është e lehtë të themelohet një kompani, qoftë themeluesi mashkull apo femër”, thotë Arta.

Bashkëshorti i saj e mbështetë atë dhe zgjedhjen e saj, dhe vazhdimisht angazhohet rreth nevojave të shtëpisë.

Synimi i tyre afatgjatë është themelimi i “J-Coders” si program i rregullt aftësimi në shkolla, në mënyrë që të gjithë fëmijët të mund të përfitojnë. Për Fionën dhe Artën është e rëndësishme që të tregojnë se programimi nuk është diçka e pamundshme.

“Përveç që shërben për zhvillimin e aftësive për programim, po ashtu ndihmon në zhvillimin e kreativitetit, të të menduarit kreativ dhe të aftësive për zgjidhjen e problemeve, që janë të rëndësishme në çdo profesion. Ne nuk do t’i shtyjmë fëmijët e t’iu themi se çka duhet të bëjnë, ne do t’i lëmi t’i zhvillojnë idetë e tyre në mënyrë kreative.”

Fiona dhe Arta mendojnë se femrat duhet t’iu besojnë vetes dhe ta zhvillojnë vetëbesimin për teknologjinë informative. Edhe pse femrat ende janë grup pakicë në sektorin e TI-së, ato kanë shkathtësi për detaje, kreativitet dhe për zgjidhjen e problemeve për të punuar në këtë fushë.

“Nganjëherë, të jesh femër në sektorin e TI-së mund të jetë përparësi, meqë shumë njerëz janë kureshtar për punën tonë. Por, në anën tjetër, ne nganjëherë  duhet të punojmë dy herë më shumë, sepse të tjerët nuk besojnë se ne mund ta bëjmë atë që e bëjmë”. (Kjo interviste është realizuar në kuadër të aktivitetit “Gratë afariste në Kosovë – Ndërlidhja e popullatës vendore me prodhimet vendore”, nga projekti COSiRA- Deutsche Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit (GIZ) Kosovë)

Exit mobile version