Provat rreth shitjes së motoçikletës dhe një telefoni Samsung besohet se janë provat kyçe të cilat prokuroria e shtetit do i përdor ndaj gjashtë aktivistëve të arrestuar dje për sulmin në Kuvend.
Prokuroria e shtetit ka kërkuar paraburgimin prej 30 ditësh për gjashtë të arrestuarit e djeshëm për sulmin me raketahedhës në Kuvendin e Kosovës që ndodhi më 4 gusht.
Në mesin e provave të cilat prokuroria beson se janë dëshmi se grupi organizoi sulmin është shitblerja e telefonit i cili besohet se u përdor për të lëshuar komunikatën me të cilën një ditë më vonë ishte marrë përgjegjësia për sulmin.
KALLXO.com ka siguruar të dhëna nga kërkesa e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit.
Në kërkesën e tij prokurori pretendon se ka prova se të pandehurit janë përgjegjës për sulmin, mirëpo nuk specifikon veprimet e ndërmarra nga grupi.
Në kërkesë si prova paraqiten vëzhgimet të cilat policia i ka kryer gjatë lëshimit të komunikatës e cila merrte përgjegjësinë për sulmin.
Komunikata besohet të jetë lëshuar duke përdorur një telefon “Samsung” i cili ishte blerë në Sheshin “Skënderbeu” prej njërës nga anëtaret e grupit.
Prokuroria pretendon se dëshmitarët e kanë identifikuar blerësen e telefonit duke intervistuar disa dëshmitarë të rasti, e po ashtu duke përdorur kamera të sigurisë të asaj zone.
Po ashtu kërkesa sqaron se prokuroria ka të dhëna se tre nga të arrestuarit kishin blerë motoçikletën e cila më pas ishte përdorur për kryerjen e sulmit, mirëpo pa e specifikuar nëse tre të pandehurit e kishin vozitur motoçikletën atë natë.
Në kërkesën e prokurorisë e cila i është dorëzuar gjykatës nuk përshkruhen veprimet e secilit prej të arrestuarve veç e veç, duke lënë pikëpyetje rreth rolit të cilin e ka luajtur zëdhënësi i “Vetëvendosjes” Frashër Krasniqi emri i të cilit nuk përmendet në asnjë moment në arsyetimin e prokurorit për masën e sigurisë.
Gjashtë persona u arrestuan dje në një aksion të përbashkët të policisë e prokurorisë në lidhje me sulmin në Kuvend më 4 gusht. /kallxo.com/