Site icon Telegrafi

Motivohet nga Lorik Cana dhe ëndrra është të luajë në Kombëtaren A, rrëfimi i talentit të madh Medon Berisha

Një sezon fantastik në Itali dhe tani momenti për shiritin e kapitenit dhe golin e parë me Shqipërinë U21. Medon Berisha nuk dëshiron të ndalet me kaq.

Kombëtarja A dhe Liga e Kampionëve janë synimet e tij të mëdha, ndërkohë që pret edhe debutimin me Leçen në Serie A.

Mesfushori i ri ka rrëfyer në rubrikën “Talenti Shqiptar” fillimet në futboll, për të vijuar më pas me rritjen, ftesën e marrë nga Kombëtarja dhe lojtarët që e motivojnë për të ecur përpara në karrierë.

Medon, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

Futbollin e kam nisur që në moshë të vogël,  kur isha 5 vjeç. Babai im ka luajtur vetë futboll kur ishte më i ri, mendoj se e kam trashëguar nga ai dëshirën për ta luajtur këtë sport të bukur. E gjithë familja më qëndron pranë, por sidomos babai. Kur isha i vogël ai nuk humbi kurrë një stërvitje apo një ndeshje timen. Edhe tani te Leçe vjen të më vizitojë dhe të më përkrahë shumë shpesh. Flas me të pas çdo ndeshje dhe ai më ndihmon të përmirësohem.

Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U21? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?

Kisha nderin të përfaqësoja fanellën kuqezi dhe isha shumë i lumtur. Nga ndeshja e parë me Shqipërinë U21 më kujtohet që isha shumë i emocionuar kur e këndova himnin kombëtar.

Çfarë do të thotë për ju të mbanit shiritin në miqësoren me Bullgarinë? Madje shënuat edhe golin e parë me Kombëtaren U-21…

Isha shumë i lumtur që ma besuan shiritin e kapitenit. Ndjej një përgjegjësi shumë të madhe prej kësaj. Sa i takon golit të parë të shënuar me fanellën kuqezi, ishte një ndjenjë e papërshkrueshme.

Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

Këtë sezon u bëmë kampionë të Italisë dhe unë munda ta ndihmoja skuadrën me 11 golat dhe 5 asistimet e mia. Ishim një ekip shumë kompakt dhe kemi luftuar gjithmonë deri në fund. Morëm vendin e parë gjatë sezonit të rregullt dhe në fund fituam edhe “play off”-s.

Veç sezonit të mirë me 19-vejçarët e Leçes, ishit edhe në stol kundër Interit në Serie A. Si ndiheni për këtë?

Mendoj se është një ëndërr për çdo lojtar të luajë në Serie A. Ishte një atmosferë fantastike me tifozët vendas. Ai grumbullim me Leçen më jep edhe më shumë motivim për të punuar dhe për të përmbushur ëndrrën time.

Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

Më duhet të mendoj direkt për Lorik Canën. Ai ishte një idhull për mua kur isha më i vogel dhe ndiqja Kombëtaren. Loriku ishte një luftëtar dhe një udhëheqës i vërtetë. Nga lojtarët e huaj them Cristiano Ronaldo, sepse respektoj mentalitetin e tij. Ai ka treguar se me punë mund të arrish gjithçka.

Në Itali tani ka një numër të madh shqiptarësh që po luajnë në Serie A. Si ndjeheni për këtë dhe sa besim ju jep që shumë shpejt dhe ju do u bashkoheni atyre?

Jam i lumtur të dëgjoj dhe të shoh shqiptarë që luajnë në ligën më të mirë italiane. Do punoj shumë për t’ia dalë edhe unë. Shpresoj që Leçe të ma japë këtë mundësi.

Duke parë që ju luani jashtë dhe shumë elementë të tjerë të rinj luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, a mendoni se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur?*

Sigurisht, ka shumë potencial në futbollin shqiptar. Mund ta shihni që Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet shumë modern. Shumë shpejt futbolli shqiptar do të ketë një të ardhme dhe perspektivë të mirë.

Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

Synimi im është të luaj për kombëtaren A  të Shqipërisë dhe të kem mundësinë të luaj në Champions League. Nuk mund të them një emër në gjurmët e të cilit dua të eci. Dua ta ndërtoj vetë rrugën time në futboll. /Telegrafi/

Exit mobile version