Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot gjatë pjesës së dytë të ditës priten vranësira të cilat vende-vende do të shoqërohen me riga shiu, kurse në viset malore fjolla të dobëta bore.
Temperaturat minimale parashihen të ulen -8 deri -4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të arrijnë 3 deri në 4 gradë Celsius.
Kjo gjendje termike me vlera të larta krahasuar me ditët e fundit, është pasojë e masave të ajrit me origjinë nga juglindja dhe jugperëndimi, por që gjatë natës do të ketë vlera negative të temperaturave për shkak të stabilitetit të troposferës dhe masave të lehta verilindore.
Mëngjeset do të jenë me ngrica të cilat do të vështirësojnë qarkullimin normal të komunikacionit, por do të paraqesin vështirësi edhe për këmbësorët.
Mjegulla do të jetë prezent në orët e para të ditës, si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe kalimeve fazore. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe jugperëndimit me shpejtësi deri 8m/s. /Telegrafi/