Depërtimi i një vorbulle ciklonike mbi Mesdheun perëndimor, do t’i hapë rrugën masave të ngrohta ajrore nga Afrika veriore që të shtrihen mbi rajon, ku do të sjellin mot më të butë dhe rritje të temperaturave ndjeshëm mbi vlera mesatare. Kjo vorbull në fundjavë pritet të sjellë edhe vranësira, si dhe erëra më të fuqishme gjatë ditës së diel.
Vorbulla ciklonike gjatë fundjavës do të sjellë qarkullim të mjaftueshëm ajror, që pritet të ndikojë në cilësinë e ajrit, ku vlerat e kualitetit të ajrit do të zbresin në vlera normale, mirëpo parashihet që të depërtojnë edhe koncentrime të pluhurit saharian që mund të rrisin vlerat në të pashëndetshme.
3.02 – Mot më i butë, me erë. Vranësira dhe intervale me diell.
4.02 – Mot më i butë, kryesisht me vranësira. Kohëpaskohe, mundësi për riga lokale shiu.
5.02-6.02 – Ditën e martë, kryesisht me vranësira, ditën edhe intervale me diell. Të mërkurën, kryesisht vranët, kohëpaskohe me shi, që më vonë do të përzien edhe me borë. Në vise malore mbi 1000m reshje bore.
Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje mbi vlera mesatare. Minimalet do të luhaten nga 2C deri në 7C, e maksimalet do të rriten deri në 13C, në Dukagjin edhe deri në 15C, e më pas do të zbresin gradualisht deri në 4C.
Do të fryjë erë mesatare dhe e fuqishme nga juglindja 4-16m/s, e në fillim të javës mesatare nga verilindja 4-13m/s.
Shtypja atmosferike do të luhatet rreth vlerave normale.