Telegrafi

Moti i ligë, anulohen katër aterime në Aeroportin “Adem Jashari”

Numri i fluturimeve të anuluara të martën, të cilat është paraparë që të aterojnë në aeroportin “Adem Jashari” ka shkuar në katër.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara.

“Deri më tani është anuluar fluturimi nga Londra, Frankfurti, Stambolli dhe Baseli”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, Telegrafi mëson se në aeroplanin që ishte nisur nga Londra në destinacion Prishtinën, ka qenë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me ç’rast aeroplani ishte detyruar të ulej në Sofje të Bullgarisë.

Ndryshe, këto anulime kanë ndodhur për shkak të motit të ligë i cili po mbretëron në rajonin tonë. Sipas meteorologëve e mërkura pritet të jetë një nga ditët më të ftohta në vend. Temperaturat besohet të bien deri në -23 gradë celcius. /Telegrafi/