Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me situatën në vend ku si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të dëborës janë bllokuar disa zona.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka mobilizuar të gjitha grupet e punës për të siguruar mbajtjen hapur të akseve rrugore dhe garantuar siguri në lëvizje.
“Me të gjitha kapacitetet në terren për menaxhimin e situatës së krijuar si pasojë e përkeqësimit të motit. Mbi 1 mijë e 500 punonjës të OSSH-së, në 12 rajonet e vendit, janë angazhuar për të siguruar furnizimin me energji elektrike”, ka shkruar tutje ai.
Kryeministri shqiptar ka ftuar qytetarët të evitojnë lëvizjen e panevojshme, deri në normalizimin e situatës.
“Puna në terren po vijon në çdo zonë ku janë raportuar problematika”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/