Telegrafi

Moti i ftohtë në Teksas – banorëve iu është thënë të vlojnë ujin e çezmës para konsumit, pasi mund të jetë i ndotur

Gati 12 milionë njerëzve në Teksas iu është thënë të vlojnë ujin e çezmës përpara se ta konsumojnë, pasi një stuhi vdekjeprurëse e dimrit shkaktoi ndërprerje të energjisë në impiantet e trajtimit.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, stuhia e madhe që përfshiu jugun e SHBA-së ka lënë të vdekur gati 50 persona dhe ka lënë miliona njerëz pa energji elektrike.

Teksasi është përballur me ndërprerje të përhapura të energjisë.

Temperaturat e ulëta gjithashtu kanë shkaktuar plasaritjen e tubave të ujit, pavarësisht përpjekjeve të disa pronarëve të shtëpisë për t’i izoluar ato nga të ftohti duke përdorur batanije.

Rrjeti energjetik i shtetit është mbingarkuar nga një rritje e kërkesës derisa njerëzit përpiqen të ngrohen në disa nga temperaturat më të ftohta atje në më shumë se 30 vjet – duke arritur në minus 18 gradë Celsius në fillim të kësaj jave.

Lexo po ashtu Pse është shumë ftohtë në Teksas?

Mbi 13 milionë njerëz – afër gjysma e popullsisë së shtetit – janë përballur me disa ndërprerje të shërbimeve të ujit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Teksas, vend ky i cili është mbuluar nga bora dhe akulli që kur stuhia vërshoi në fundjavë.

Njoftimi i ashtuquajtur për të vluar ujin, është lëshuar për qytetin e Houstonit dhe zonat përreth, derisa Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) këshillon që i gjithë uji i planifikuar për konsum – edhe nëse filtrohet – duhet të zihet pasi mund të jetë i kontaminuar.

Vetëm uji i zier ose në shishe duhet të përdoret, përfshirë këtu për larjen e dhëmbëve, njofton CDC. /Telegrafi/