Telegrafi

Mot përvëlues gjatë kësaj jave, kujdes nga temperaturat e larta

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka bërë të ditur se kjo javë do të shënojë valën e tretë të të nxehtit afrikan për këtë vit, e shoqëruar me mot shumë më të ngrohtë se mesatarja dhe me temperatura maksimale që në disa zona në regjion, do të kalojnë edhe 40 gradë Celsius.

ASHNA njofton se kjo valë e nxehtë dhe relativisht e gjatë, do të intensifikohet do të vazhdojë edhe në fundjavë.

Temperaturat maksimale në vendin tonë do të arrijnë në mes 34°C – 39°C, ndërsa minimalet do të luhaten ndërmjet 18°C – 23°C.

Ndërkaq, për sot nga Instituti Hidrometeorologjik bëjnë të ditur se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-34 gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) përmes një njoftimi për media ka dhënë disa këshilla dhe rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia dhe temperaturat e larta, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Temperatura të larta në javën e dytë të korrikut, IKSHPK tregon se si duhet mbrojtur nga të nxehtit

IKSHPK thotë se “vala e të nxehtit që pritet të dominojë ditëve në vijim mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve dhe sidomos të grupeve të cenueshme”.

“Periudhat e zgjatura me temperature të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres të grumbulluar në trupin e njeriut dhe rrisin rrezikun e sëmundjes dhe vdekjes nga ekspozimi ndaj nxehtësisë”, thuhet në njoftim.

Tutje, IKSHPK shton se paaftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e brendshme dhe për të eliminuar nxehtësinë e grumbulluar gjatë temperaturave të larta e rrit rrezikun e rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditjes nga nxehtësia.

IKSHPK njofton se tendosja që i bëhet trupit ndërsa përpiqet të ftohet, streson gjithashtu zemrën dhe veshkat. Si rezultat, nxehtësia ekstreme mund të përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të personave që kanë sëmundje kronike (kardiovaskulare, mendore, respiratore dhe sëmundje të lidhura me diabetin) dhe të shkaktojnë dëmtim të shpejtë të veshkave. /Telegrafi/