Telegrafi

Mot i nxehtë, IHK bën thirrje për kujdes të shtuar

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30- 34 gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

IHK njofton tutje se këto temperatura të larta do të vazhdojnë edhe për disa ditë dhe se kjo situatë u krijua si rezultat i masave të nxehta të ajrit me origjinë nga jugu.

Gjithashtu prezenca e anticiklonit afrikan do të vazhdojë të mbetet i stacionuar mbi vendin tonë edhe në ditët vijuese.

“Kujdes nga rrezet direkte të diellit, sidomos nga intervali kohorë 10-17 h, sepse indeksi UV ka shënuar vlera të larta. Përdorni sa më shumë ujë të freskët, jo lëngje të gazuara, kapelë, syze për tu mbrojtur nga dielli, rroba me ngjyra të lehta nga pambuku ose liri. Të mos konsumojmë ushqime të fërguara, me shumë yndyrë dhe ushqime të shpejta, por sa më shumë ujë të thjeshtë, pemë dhe perime.

Jemi në dritën e verdhë sa i përket këtyre vlerave të larta të temperaturave, mirëpo në ditët vijuese kjo situatë meteorologjike mund të krijoj kushte edhe për alarm të kuq, sepse temperatura e ajrit kur kalon më e lartë se temperatura e trupit të njeriut {37C}, atëherë mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin tonë”, thuhet tutje në njoftim.

IHK tutje bën apel për qytetarët që mos t’i ndezin hamulloret (sernishtat), sepse përpos që  shkatërrojnë miliona organizma shkaktojnë rritjen e temperaturave lokale, mund ta rrezikojnë edhe pronën. /Telegrafi/