Telegrafi

“Moszbatimi i vendimit për Manastirin, pengon anëtarësimin në KE”, analistët e konsiderojnë padrejtësi këtë kusht për Kosovën

Vendet e QUINT-it, në 7-vjetorin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, kanë përsëritur thirrjen e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës, për të zbatuar vendimin e kësaj gjykate për regjistrimin e tokës së këtij manastiri. Këtë herë zbatueshmërinë e këtij vendimi, e kanë lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në Kosovë ka vlerësime se vendimi duhet të zbatohet, por edhe qëndrime Kosova po kushtëzohet padrejtësisht me këtë çështje.

Shtatë vjetorin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit e kanë kujtuar shtetet e QUINT-it të shtunën.

Madje pikërisht në këtë ditë, QUINT-i përsëriti thirrjen për Qeverinë që të zbatojë me urgjencë regjistrimin e tokës së Manastirit.

Bile këtë herë, kësaj radhe, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe BE-ja, kanë theksuar se çdo vonesë në zbatimin e vendimit nënkupton pengesë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës. Zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejshëm në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesa e mëtejshme është vetëm një pengesë për këtë përparim”.

Bile për drejtorin e Institutit “Musine Kokulari”, Visar Ymeri një ndërlidhje e tillë vjen për herë të parë nga QUINT-ti, e sipas tij, është koha e fundit që Qeveria t’i respektojë vendimet  e Kushtetueses.

“Është hera e parë me sa e di unë që bëhet kjo  ndërlidhje në mes të rrugës së Kosovës drejt Këshillit të Evropës dhe këtij vendimi, dhe ka qenë e pritshme për mendimin tim… Për shumë prej gjërave që ne i kemi shtyrë me pretendimin se do ndryshojnë, i kemi parë se ato nuk ndryshojnë përveç se kur bëhen më të këqija, pra e kemi edhe rastin e Asociacionit edhe Dialogun në tërësi e edhe këtë vendim”, ka thënë Ymeri për RTV Dukagjinin.

Nga ana tjetër njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, këtë kushtëzim po e konsideron të padrejtë për Kosovën.

“Do të ishte padrejtësi e radhës kundrejt shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj nëse do të kushtëzohej, anëtarësimi në këto organizata, përmes kërkesave që i bën Serbia parreshturazi, qoftë për themelimin e Asociacionit, qoftë për statusin e kishës serbe ortodokse,  prandaj faktori ndërkombëtar këtë nuk do duhej ta pranonte si kushtëzim, ndërkohë që mos të pengohet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë dhe më pas edhe në organizma tjerë ndërkombëtar”, ka thënë Pula.

Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.

Më 20 maj 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha palët.